Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani edhe pse muaj më parë rinovoi kontratën me Hoffenheimin deri në vitin 2029, kjo nuk do të thotë se ai do të qëndrojë aq gjatë në klub.
Në të vërtetë, mediumet gjermane kanë raportuar se Asllani ka një klauzolë lirimi, gjë që ka alarmuar klubet e interesuara për shërbimet e tij.
Thuhet se kjo klauzolë është e përballueshme, ndonëse shifrat nuk janë zbuluar, dhe gjasat janë të mëdha që Asllani në fund të këtij sezoni të largohet nga Hoffenheimi.
Klube të ndryshme nga Gjermania, Anglia por edhe Spanja, mësohet se po e monitorojnë nga afër situatën e Asllanit, i cili ka treguar formë të mirë këtë sezon në Bundesligë.
Në shtatë paraqitje në të gjitha garat për Hoffenheimin, sulmuesi 23-vjeçar ka shënuar 5 gola dhe ka bërë 2 asistime.
Asllani, aktualisht është i grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës që do të përballet me Slloveninë dhe Suedinë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.