Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet e BE-së kanë arrestuar një person i cili dyshohet që komprometoi mbi 300 mijë kartela bankare në një shtet të BE-së.
Sipas policisë, i dyshuari dyshohet se i ka postuar për ti shitur këto të dhëna në një platformë online për përfitime të kundërligjshme.
Më tej, gjatë realizimit të kontrollit janë sekuestruar katër kompjuterë, tre telefona, një USB dhe dokumente të rëndësishme.
“Pas një hetimi disa mujor, është arrestuar një person i dyshuar për hyrje të paautorizuar kompjuterike në një bankë të një shteti të BE-së. Ky veprim ka rezultuar në komprometimin e të dhënave të mbi 300 mijë kartelave bankare, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm. Gjatë realizimit të operacionit të kontrollit janë sekuestruar katër kompjuterë, tre telefona, një USB dhe dokumente të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me vendim të Prokurorit, i arrestuari është ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejme./teve1.info/