Një person me inicialet A.B. është arrestuar në Gjakova, pasi gjatë një kontrolli policor iu gjet një sasi e konsiderueshme e substancave narkotike në automjetin që drejtonte.
Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, arrestimi është bërë në kuadër të një plani taktik në terren.
Gjatë kontrollit të veturës me targa të huaja, në pjesën e ulëseve të pasme janë zbuluar dhjetë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale prej mbi 5.4 kilogramësh.
Përveç drogës, autoritetet kanë sekuestruar edhe veturën si dhe dy telefona mobil që dyshohet se i përkisnin të arrestuarit.
I dyshuari është shoqëruar në polici për intervistim dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.







