Një person i dyshuar për disa raste vjedhjeje është arrestuar nga Policia e Kosovës në Prizren, pas një pune intensive operative-hetimore në terren.
Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit nga Sektori i Hetimeve në stacionin policor në Prizren kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë të dyshuarin me inicialet M.G., i cili dyshohet për përfshirje në veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja e rëndë”.
Gjatë ndalimit, policia ka gjetur në trupin e tij një substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Në koordinim me prokurorin kujdestar, është kryer edhe bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë sekuestruar dëshmi materiale që lidhen me rastet.
Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka pranuar se ka kryer së paku pesë vjedhje, kryesisht në markete dhe vetura.
Me vendim të prokurorit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në këto raste.
Ndërkohë, në një rast tjetër po të njëjtën ditë, në orët e hershme të mëngjesit, policia ka arrestuar në flagrancë tre persona të dyshuar për vjedhje të rëndë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar bizhuteri ari të vjedhura dhe një automjet i përdorur në kryerjen e veprës.
Pas përfundimit të procedurave, stolitë e arit i janë kthyer pronarit legjitim, ndërsa tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.








