Një person me inicialet Z.S. është arrestuar të hënën nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari, si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime gjatë viteve 1998–1999 në fshatin Matiçan, në Komunën e Prishtinës.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do të paraqesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kanë arrestuar Z.S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”. I pandehuri Z.S., si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës kohore 1998-1999. Brenda afatit ligjor, sipas Kodit te Procedurës Penale, Prokuroria Speciale do të paraqesë në Gjykatën Themelore te Prishtinës, Departamenti Special kërkesën për paraburgim”, thuhet në njoftim./teve1.info/







