Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar gjatë një operacioni të realizuar në vijën kufitare me Serbinë, në fshatin Hajkobillë të Prishtinës.
Operacioni është zhvilluar të enjten, në kuadër të një plani taktik për parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme në zonat kufitare.
Sipas policisë, të dyshuarit janë arrestuar për veprat penale “kontrabandë me mallra”, “kalim i paautorizuar i vijës kufitare” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve të zjarrit dhe municionit”.
“Të njëjtit janë ndaluar nga ana e zyrtarëve policorë, derisa në afërsi të vijës kufitare është hasur një sasi e konsiderueshme e druve të kontrabanduara nga territori i Serbisë,” thuhet në njoftim.
Me autorizim të prokurorit të shtetit, është kryer edhe bastisja e një shtëpie në afërsi të vijës kufitare, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga të dyshuarit për aktivitetet e tyre të paligjshme.
“Gjatë bastisjes janë gjetur edhe armë ilegale,” njofton policia.
Në kuadër të këtij rasti janë sekuestruar disa prova materiale, përfshirë:
- 3 traktorë me tërheqje
- 3 pushkë gjuetie
- 1 pushkë ajrore
- 83 fishekë të kalibrave të ndryshëm
Me vendim të prokurorit kompetent, katër personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është duke u hetuar.







