Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për caktimit e masës së paraburgimit ndaj tetë doganierëve dhe një polici të arrestuar të shtunën për korrupsion, por ndaj tyre ka caktuar një masë më të butë, atë të arrestit shtëpiak prej një muaj ndaj të gjithë të pandehurve.
Kjo është bërë e ditur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve V.M, A.S, A.C dhe M.J, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe nën paragrafin 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të pandehurve T.D, N.M, M.S, G.Z, A.A për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Marrje ryshfetit në bashkëkryerje nga neni 421 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve V.M, A.S, A.C, M.J, T.D, N.M, M.S, G.Z, A.A dhe të njëjtëve ju caktoi masën e arrestit shtëpiak për secilin. Të pandehurve ju është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, ndërsa në rast të mosrespektimit të masës së arrestit shtëpiak, gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit për nëntë të pandehurit.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, dhe mekanizmat relevantë, është zhvilluar një aksion për kontroll në njëmbëdhjetë lokacione, i cili është mbështetur nga Policia e Kosovës.
Gjatë aksionit janë konfiskuar njëzet plomba zyrtare të Doganës së Kosovës; dhjetë telefon së bashku me katër (4) sim kartela; një pistoletë e kalibrit 9 mm me tre karikator dhe 9 fishek, me leje gjashtëmbëdhjetë (16) copë municion jozyrtar.
Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë 9 zyrtarëve të dyshuar për veprat penale ‘’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’marrja e ryshfetit”.
“Dyshimet janë bazuar në një hetim të gjatë të udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe të zbatuar nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor, pasi që nën hetime ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor”, ka njoftuar Prokuroria Speciale./teve1.info/