Gjykata Themelore Prishtinë, Dega në Fushë-Kosovë, Departamenti i Përgjithshëm ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj E.B., i dyshuar për aksidentin me fatalitet në Bresje të Fushë-Kosovës më 30 mars.
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se në seancë dëgjimore, prokurori i shtetit ka ndryshuar kërkesën për masën e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
“Gjatë mbajtjes së seancës dëgjimore sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, në seancë dëgjimore Prokurori i Shtetit ka ndryshuar kërkesën për masë të sigurisë, ashtu që duke pasur parasysh faktin se familja e të pandehurit E.B me familjen e tani të ndjerit – viktimës kanë arritur një Marrëveshje Pajtimi, të prezantuar në gjykatë nga mbrojtësi i të pandehurit në formë të shkruar, ashtu që në vend të masës për caktim të paraburgimit, i njëjti ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ndaj të pandehurit E.B”, thuhet në njoftim.
Andaj, gjyqtarja e procedurës paraprake ka marrë vendim duke aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaj, ndaj të pandehurit E.B., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që goditi për vdekje këmbësorin në Bresje