Sipas Arifit, në lidhje me diplomacinë, shqiptarët në Luginë nuk kanë kapacitetet intelektuale në numër, aspektet ekonomike dhe infrastrukturore, ku sipas tij këtë mund ta kishin bërë më mirë Kosova dhe Shqipëria.
“Po më vie keq për atë që ka ndodhur, për shkak të mos unifikimit të faktorit shqiptar, unë do t’i përmend 3 fakte interesante, njëra nga to është çështja e pasivizimit të adresave, ndoshta kjo çështje është dashur të ketë më shumë zhurmë, në kuptimin jo vetëm çështja e Luginës, por sepse ju nuk i keni kapacitetet intelektuale në numër, nuk i keni aspektet ekonomike dhe infrastrukturore në lidhje me diplomacinë. Këtë mund ta kishte bërë Kosova dhe Shqipëria shumë më mirë dhe shumë më fuqishëm, prandaj po ashtu e keni ditur që do të ketë bojkotim të një numri të mirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke e ditur që nga viti 2000 Partia Demokratike Shqiptare nuk merr pjesë në zgjedhjet parlamentare, ajo i bojkoton ato në vazhdimësi, pra është dashur që të dakordoheni të gjithë rreth marrëveshjes së Tiranës nëse mund ta quajmë kështu, për shkak se në atë kohë kur është bërë para 2 viteve së bashku me ish-ministrin Cakaj”, deklaroi Arifi.
Ai gjithashtu, përmendi edhe bojkotimin e diasporës që tashmë vazhdon të ripërsëritet si një fenomen në Luginën e Preshevës, prandaj sipas tij, duhet edhe qytetarët në diasporë të vetëdisohen që mund ta kenë mundësinë të votojnë edhe ata.
“Po ashtu bojkotimi i diasporës është një fenomen që ripërsëritet në Luginë të Preshevës, nuk e di pse nuk ka pasur një impenjim më të madh të Luginës së Preshevës që të vetëdisohet edhe qytetari në diasporë që mund ta ketë mundësinë të votojë edhe ai, sepse edhe aty janë shumë vota. Sidoqoftë, ajo më e rëndësishmja është mësimet që janë nxjerrur, që tash ju duhet t’i analizoni, dhe së bashku me Tiranën dhe Prishtinën se çka tutje”, tha ai.
Megjithatë, më e rëndësishmja sipas Arifit, është formimi i një strategjie kombëtare mes Tiranës dhe Prishtinës për ta ndihmuar Luginën e Preshevës. Po ashtu, ai përmendi edhe fondin solid që ka ndarë Qeveria Kurti 1 dhe 2, por që prapë nuk është e mjaftueshme për qytetarët e Luginës.
“Por ajo çka është më me rëndësi që duhet sonte dhe jo nesër, që ta diskutoni edhe si këshill edhe të gjitha partitë politike, është që me Tiranën dhe Prishtinën të formohet më në fund një strategji kombëtare se si me ndihmu Luginën e Preshevës, sepse me fjalë dhe me premtime kanë kaluar shumë vite dhe nuk është bërë asgjë, mund të themi shumë pak. Përveq Qeverisë Kurti 1 dhe 2 që ka ndarë një fond solid, por ajo nuk mjafton që ta kemi një kontinuitet, sepse problemi te shqiptarët në histori nëse e analizojmë, ne kemi probleme me kontinuitet, pra këtu qëndron edhe problemi në Luginë të Preshevës. Prandaj kur ka zgjedhje në Kosovë dhe Shqipëri, besoj që Lugina shpeshë herë mund të përmendet, por sa të përfundojnë zgjedhjet ajo më nuk përmendet. E ju jeni ata që duhet ta përmendni 365 ditë liderëve si në Kosovë dhe si në Shqipëri, por duhet të merni guximin që nganjëherë të mos pajtoheni me disa liderë, e jo ti bëni “karshillëk”, pra duhet të bëni më shumë zë, dhe besoj që ka zëra shumë në Kosovë dhe në Tiranë që do t’iu përkrahin që më në fund dy qeveri të ulen dhe ta bëjnë një strategji kombëtare për Luginën e Preshevës, sepse nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë në kohën e duhur, besoj që pas 10 viteve zëri i juaj pothuajse do të zhduket”, shtoi tutje Arifi.