Arabia Saudite dënoi të dielën sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore të Iranit, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit iranian dhe paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm në rajon.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme saudite shprehu “shqetësim të thellë” për zhvillimet në Iran dhe theksoi nevojën për përmbajtje nga të gjitha palët e përfshira, raporton Anadoly.
“Mbretëria nënvizon domosdoshmërinë e përpjekjeve për të shmangur përshkallëzimin dhe për të ulur tensionet, në mënyrë që të parandalohet një destabilizim i mëtejshëm në rajon,” thuhet në deklaratë.
Arabia Saudite u bëri thirrje gjithashtu vendeve ndërkombëtare që të intensifikojnë përpjekjet diplomatike për të arritur një zgjidhje politike që mund të ndalë krizën aktuale dhe të hapë rrugën për paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme.
Deklarata saudite vjen pas një serie sulmesh të forcave amerikane ndaj tre objekteve kryesore bërthamore në Iran – Fordow, Natanz dhe Isfahan – të cilat, sipas Presidentit amerikan Donald Trump, u kryen në orët e para të së dielës si përgjigje ndaj kërcënimeve nga programi bërthamor iranian.