Në Tiranë, Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ktheu masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, dy herë në muaj para oficerëve të policisë gjyqësore.
Ndalimi i udhëtimeve jashtë vendit dhe detyrimi për t’u paraqitur ishin masat e para që Gjykata e Posaçme vendosi ndaj zotit Berisha, 15 muaj më parë, kur ai ishte person nën hetim për korrupsion në çështjen e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani.
Ai refuzoi ta zbatonte atë, prandaj Gjykata ashpërsoi masat, duke vendosur për të “arrest shtëpie”.
Zoti Berisha kërkoi në Apel shuarjen e kësaj mase sigurie, që Gjykata kishte miratuar një vit më parë. Apeli vendosi sot që “arresti shtëpiak” ndaj tij të zëvendësohej me “detyrim paraqitje”.
Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar në Apel që ndaj zotit Berisha të rivendosej masa e “arrestit shtëpiak”, pasi Gjykata e Posaçme vendosi në fund të nëntorit t’ia hiqte këtë masë.
Prej disa javësh ai është kthyer personalisht në veprimtaritë periodike partiake e parlamentare, si dhe në drejtim të protestave opozitare.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur nga shtatori i kaluar akuzën e korrupsionit pasiv në bashkëpunim ndaj ish kryeministrit Berisha gjatë procedurave në privatizimin e ish klubit sportiv Partizani, gjatë të cilave dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e tokës, ku gjendej kompleksi sportiv, dhe ku tani janë ngritur një grup pallatesh.
Sipas SPAK-ut, ish kryeministri Berisha ka shfrytëzuar postin zyrtar, teksa ka miratuar ligje dhe akte nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit për të mundësuar privatizimin e kompleksit sportiv.
Prokuroria e Posaçme dyshon se ai ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që këto të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Malltezi për të arritur privatizimin.
Krahas korrupsionit në bashkëpunim për Berishën dhe Malltezin, SPAK-u ka ngritur akuza edhe për tre persona të tjerë korrupsion aktiv dhe për pastrim parash.
Por zoti Berisha nuk i ka pranuar akuzat, duke i cilësuar si trillime në një proces të motivuar politikisht kundër tij me nxitjen e kryeministrit Edi Rama, dhe se, sipas tij, në privatizimin e “Partizanit” nuk ka shkelje ligjore.
Edhe vendimin e sotëm për kthimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, ndonëse tha se do ta zbatonte, zoti Berisha e cilësoi si një “vendim pa asnjë bazë ligjore” me qëllime elektorale nga kryeministri Rama dhe një urdhër politik prej tij.
E nisur nga viti 2020, çështja Partizani nga mesi i tetorit është dorëzuar për gjykim nga SPAK-u me mbylljen e hetimeve, në Gjykatën e Posaçme, ku pritet të shqyrtohen hapat e mëtejshme të procesit./VOA