Muhaxhiri tha se asnjë vendim nuk mund të zbatohet nga serbët në Kosove pa “aminin” e Beogradit.
Sipas tij, kjo është përkeqardhje por edhe një realitet.
Muhaxhiri foli për konvertimin e targave, ku u shpreh i frikësuar se flet-qortimet më shumë do të kenë dëm sesa dobi.
“Pra kushdo që mendon që me një letër urdhëresë nga Prishtina mund ta ndryshojë realitetin atje nuk e njeh realitetin edhe frikësohem se më shumë do të ketë dëm sesa dobi”, tha ai.
Tutje Muhaxhiri tha se nuk është e lehtë për serbët që t’i ndërrojnë targat nga ilegale në ato legale.
“Nuk është aq e lehtë që të ndërrohen targat nga targrat që janë ekskluzivisht që kanë një identitet serb të shtetit serb, të një kohe të kaluar me targat të shtetit të Kosovës edhe kjo duhet të bëhet në mënyrë më graduale sepse në të kundërtën do të ketë reagime”, ka thënë Muhaxhiri në “Info Nata” në Tëvë1.
Sipas tij, duhet të shkohet në mënyrë diplomatike e graduale nëse synohet të arrihet efekti.
E politologu Albinot Maloku për çështjen e targave tha se Qeveria e Kosovës nuk e ka matur vetën, por ai vendimin për konvertimin e targave nga ilegale në legale e konsideroi të drejtë.
Maloku përmendi edhe mundësinë e degradimit të situatës, duke thënë se politika e Beogradit ka ndikim të madh sidomos tani.
Tutje analisti Maloku një pjesë të fajit ia la edhe faktorit ndërkombëtar.
“Edhe faktori ndërkombëtar e ka atë pjesën e fajit të vet për faktin që në qoftë se kërkohet të ekzekutohen marrëveshjet e Brukselit atëherë konsideroj që bashkësia ndërkombëtare nuk do duhej që të kërkonte nga Qeveria e Kosovës shtyrje. Do të duhej edhe ata të ishin më të vendosur”, shtoi ai.