Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot nuk ka pranuar të komentoj deklaratat e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi i cili sot u ka bërë thirrje disa ambasadorëve që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese përmes vizitave, takimeve apo formave të tjera të ndikimit.
Përmes një postimi në Facebook, Rrustemi theksoi se çdo ndërhyrje e mundshme në institucionin më të lartë të interpretimit të Kushtetutës do të dëmtonte rëndë pavarësinë e tij.
Për këtë, Guerot tha se edhe mungesa e komentit nga ana e tij është një lloj komenti.
“Nuk kam ndonjë koment, faleminderit, dhe mungesa e komentit është një koment”, tha Guerot.
I pyetur edhe për situatën aktuale politike në vend, Guerot tha po ashtu se ka takuar disa përfaqësues të partive, por sipas tij këto subjekte duhet ta zgjidhin këtë çështje.
“Jo, nuk dua të spekuloj, po takohem me të gjithë palët e interesuara, disa i kam takuar, të tjerët do t’i takoj, por Kosova është një vend sovran, prandaj është për partitë politike të Kosovës që të zgjidhin këto çështje”, shtoi Guerot.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u ka bërë thirrje disa ambasadorëve që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese përmes vizitave, takimeve apo formave të tjera të ndikimit.
Përmes një postimi në Facebook, Rrustemi theksoi se çdo ndërhyrje e mundshme në institucionin më të lartë të interpretimit të Kushtetutës do të dëmtonte rëndë pavarësinë e tij.
“I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, ka shkruar Rrustemi.
Kushtetuesja ka vendos masë ndaj dekretit të Presidentes deri më 31 mars.







