Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi ka lëshuar njoftimin e radhës lidhur me evakuimin e mundshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës në rast të bllokadës së vazhdueshme të hapësirës ajrore në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në njoftim thuhet se ambasada është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendit pritës, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasada e Republikës së Kosovës në Riad, për të shqyrtuar mundësinë më të shpejtë dhe më të sigurt për evakuimin e qytetarëve kosovarë.
Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ndodhen aktualisht në territorin e Emirateve – si vizitorë të bllokuar ashtu edhe rezidentë – dhe që ende nuk janë paraqitur, të kontaktojnë menjëherë përmes emailit [email protected] ose në numrin +971 54 709 2109 (Tel/WhatsApp).
Gjatë lajmërimit, qytetarët duhet të dërgojnë të dhënat personale sipas dokumentit të udhëtimit, si dhe të specifikojnë qytetin ku ndodhen dhe adresën e përkohshme (hotel apo vendbanim).
Sipas njoftimit, regjistrimi është i domosdoshëm në mënyrë që, në rast evakuimi, kërkesat e tyre të procedohen për pajisje me leje kalimi urgjente në kufirin e Mbretëria e Arabisë Saudite. Kjo procedurë realizohet nga Ambasada në Abu Dhabi në koordinim me ambasadën në Riad.
Në rast të krijimit të mundësisë për evakuim të organizuar emergjent, në koordinim me autoritetet e Emirateve dhe Arabisë Saudite, fluturimet pritet të realizohen nga aeroportet në Jeddah ose Riyadh, për çka qytetarët do të njoftohen me kohë.






