Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka mirëpritur miratimin e vendimit final për liberalizimin e vizave për të cilin ka thënë se është vonuar prej kohësh.
Ambasada përmes një shkrimi në Facebook, ka uruar qytetarët e Kosovës, teksa thuhet se Gjermania ka qenë mbështetës i fortë i kësaj çështje.
“Me përfundimin e këtij hapi të fundit në procedurë, presidenti i PE-së dhe presidenca e Këshillit Suedez do të nënshkruajë zyrtarisht aktin të mërkurën. Marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi të jetë vendosur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), dhe kjo do ndodhë gjithsesi deri në 2024. Prej atëherë e tutje, qytetarët e Kosovës nuk do të kenë më nevojë për vizë për qëndrime afatshkurtra brenda BE-së .Si mbështetës të fortë i kësaj çështjeje prej kohësh, ne nuk mund të shprehim se sa të lumtur ndihemi që më në fund u mor ky vendim i vonuar prej kohësh”, thuhet në shkrimin e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.
Ndryshe përmes një seance plenare, Parlamenti Evropian ka miratuar sot vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Pas këtij hapi pason nënshkrimi i tekstit që garanton liberalizimin e vizave për Kosovën.
Liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në datën e funksionalizimit të sistemit ETIAS por jo më vonë se 1 janari 2024, pra, edhe nëse ky sistem nuk hyn në funksion deri në atë datë.
Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave nënkupton që qytetarët e Kosovës do të kenë kohë të qëndrojnë 90 ditë në Zonën Shengen, në një periudhë prej 180 ditësh. /teve1.info/