Mohimi i krimeve serbe në Kosovë është kërcënim i drejtpërdrejt për të ardhmen, u tha në 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku në një tryezë shkencore të organizuar nga forumi i intelektualëve në Shtime u diskutua tema “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit, destabilizim për Ballkanin”.
Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se masakra në Reçak bëri kthesën e madhe në historinë e Kosovës. Në mesin e 400 masakrave të kryera nga Serbia, ai tha se ajo e Reçakut u denoncua ndërkombëtarisht, shkruan KosovaPress.
“Masakra e Reçakut nuk është se është më e madhja apo më e përgjakshmja se ka edhe të tilla që janë kryer, siç është Izbica, siç është Meja, Rahoveci, por Reçaku e ka rolin e vet në historinë më të re të Republikës së Kosovës, te shtetit tonë sepse aty falë një burri qe është ambasadori William Walker që më 15 janar 1999 në kuadër të misionit ndërkombëtar qëlloi aty dhe denoncoi krimin makabër të Millosheviqit, ajo u bë kthesë e madhe historike dhe pastaj dhe mblodh gjithë bashkësia ndërkombëtare, ndodhi konferenca e Rambujesë, ku në fund pala serbe nuk e nënshkroi marrëveshjen dhe filluan bombardimet e NATO-s dhe për 78 ditë u bombardua shteti kriminal i asaj kohe dhe NATO-ja me makinerinë e saj nga lart dhe vajzat e djemtë më të mirë të kombit, duke luftuar me pushkë në dorë pa dyshim edhe diplomacia dhe shteti shqiptar me rolin e jashtëzakonshëm, bën që më 12 qershor 19999 të vije liria jonë dhe më vonë dhe shteti i pavarur dhe Republika që bashkërisht sot e gëzojmë… Para dy viteve me avokomin tonë pas memorialit të Jasharëve edhe menoriali i Reçakut është projekt nacional dhe shteti do të kujdeset qe këtu të investohet dhe këtu të mbrohen dhe arkivohen të gjitha detajet e krimit serb mbi popullatën civile”, tha ai.
Ai përmendi edhe aktakuzën e ngritur në fund të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale, ku akuzohen 21 kriminelë serbë.
Kryetari i Forumit të Intelektualëve në Shtime, Banush Imeri tha se Reçaku mbetet ndër plagët më të rënda në historinë e Kosovës.
“Madakra e Reçakut është njëra prej shumë masakrave të kryera nga Serbia, por kjo në Reçak u bë një nga simbolet. Sot, më 14 janar po e mbajmë këtë tryezë para akadamisë përkujtimore në kujtim të masakrës së Reçakut, me synim qe përmes trajtimeve dhe analizave profesionale, di të ndriçohet edhe më shumë dimensioni i kësaj masakre dhe rëndësisë së saj për identitetin dhe kujtesën kolektive”, tha ai.
Mohimi i kësaj masakre nga krerët e lartë në Serbi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj tha se është kërcënim i mohimit të drejtpërdrejtë për të ardhmen.
“Mohimi i krimeve serbe në Kosovë, nuk është thjesht mohim i së shkuarës, ai është kërcënim i drejtpërdrejt për të ardhmen. Ai minon drejtësinë, pengon pajtimin e sinqertë dhe mban tensione që rrezikojnë stabilitetin rajonal. Pa drejtësi, pa përgjegjësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Pikërisht për këtë arsye, roli i akademisë, roli i studiuesve, i institucioneve dhe diplomacisë mbetet thelbësor edhe sot për të mbrojtur të vërtetën historike, për të kundërshtuar narrativat mohuese dhe për t’i kujtuar komunitetit nderkombëtar se drejtësia per viktimat nuk është çëahtje e së kaluarës por obligim i së tashmes”, përfundoi ai.
Më 15 janar të vitit 1999 forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes. I pari që i tha botës se aty u krye krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe.




