Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) bwn tw ditur se kryetari i saj, Ali Ahmeti, u ka dërguar një letër të hapur partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë lidhur me zhvillimet e fundit politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit, letra – e datës 3 prill 2026 – i është përcjellë jo vetëm opinionit vendor dhe ndërkombëtar, por edhe ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në vend, si dhe liderëve botërorë dhe personaliteteve të njohura ndërkombëtare.
Në hyrje të saj, Ahmeti thekson përkushtimin e vazhdueshëm të BDI-së për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërtimin e një shteti demokratik dhe multietnik, si dhe avancimin e integrimit euroatlantik të vendit.
Ai shpreh shqetësim për zhvillimet e fundit politike, të cilat, sipas tij, rrezikojnë këto arritje. Në veçanti, përmenden heqja e mekanizmit të balancuesit për përfaqësim të drejtë të komuniteteve, sfidat në funksionimin e institucioneve që zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe iniciativat për kontestimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.
Letra u është adresuar një game të gjerë liderësh ndërkombëtarë, përfshirë presidentin e SHBA-së Donald Trump, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, si dhe ish-presidentin amerikan George W. Bush.
Gjithashtu, ajo u është dërguar edhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe diplomatëve të lartë, përfshirë sekretarin e shtetit të SHBA-së Marco Rubio, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe zyrtarë të tjerë të BE-së, NATO-s, OKB-së dhe OSBE-së.
Në listën e adresuesve përfshihen edhe ish-përfaqësues dhe personalitete të shquara ndërkombëtare si George Robertson, Federica Mogherini, Javier Solana, Victoria Nuland dhe të tjerë.
Përmes kësaj letre, Ahmeti kërkon angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit, forcimin e stabilitetit politik dhe avancimin e perspektivës euroatlantike të vendit.







