Albion Rrahmani po vazhdon të bëjë hapa të mëdhenj këtë sezon te Sparta Praga, ku kjo e fundit fitoi ndaj Pardubiqes me rezultatin 3 – 1.
Sulmuesi kosovar ishte titullar në sfidën e fundit të kampionëve çekë dhe arriti të lë gjurmë menjëherë.
Ai realizoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 47-të , pas një goditjeje të saktë nga brenda zonës.
Rrahmani u zëvendësua në minutën e 89-të, por kontributi i tij ishte i rëndësishëm në suksesin e ekipit.
Paraqitja e tij nuk kaloi pa vëmendje, me trajnerin Brian Priske që ndau fjalë vlerësuese për lojtarin shqiptar.
“Nuk mund të gjykoj nëse është ndryshe nga ai që ishte në pranverë. E shoh si një djalë të mirë, të disiplinuar dhe profesional. Ka forcë dhe aftësi për të shënuar gola”, u shpreh Priske.
Tekniku danez theksoi rëndësinë e kontributit të Albion Rrahmanit dhe të gjithë repartit ofensiv, jo vetëm në fazën sulmuese, por edhe në atë defansive.
Pas paraqitjeve premtuese në miqësore dhe tani në ndeshjet zyrtare, Rrahmani duket se po konsolidon vendin e tij te Sparta Praga dhe po fiton gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit dhe skuadrës.
Kujtojmë se Rrahmani është transferimi më i shtrenjtë në histori të skuadrës çeke, ku u transferua nga Rapidi i Bukureshtit për 5 milionë euro.