Për gjashtë vite radhazi ishte punëtor i ndërmarrjes “ Trepça”.
Por, ka një javë që Bari Brahimi nuk është më pjesë e kësaj kompanie.
Atij, menaxhmenti ka vendosur që t’ia shkëpus kontratën e punës.
Problemet, sipas Brahimit nisën pasi atij fillimisht iu ndërrua vendi i punës, i cili ai thotë se ishte i papërshtatshëm për të.
Kjo për shkak se Brahimi vuan nga sëmundja e tumorit.
“Në vitin 2024 unë kam bërë një operim në kokë se kam pasur tumor në kokë, pastaj kur e kam bërë operimin jam kthyer në punë e më kanë ndërruar vendin e punës, më kanë dërguar një vend i cili nuk është për shëndetin tim. Duhet të ceki se aty kam qenë më konkurs të brendshëm dhe cdo gjë ka qenë legjitime. Pasi e kam shpenzua pushimin vjetor dhe mjekësor, kam bërë kërkesë për pushim pa pagesë, mirëpo mua nuk më është miratuar e unë në konsultim me mjeken e punës jam hy në pushim pa pagesë. E kam raportin e mjekut dhe atë të radiologjisë që diagnoza ime më është kthyer përsëri, ata më kanë sugjeruar që gjashtë muaj të mos kem aktivitete vetëm në shtëpi me qenë. Ata nuk më kanë miratuar, por unë kam hy në pushim, e një ditë më ka ardh një thirrje për me u lajmërua në komision disiplinorë në të cilin unë nuk kam mundur të shkoj e aty kanë marrë vendim të më shkëpusin kontratën”, ka thënë Brahimi.
Lajmin për shkëputjen e kontratës nuk e priti fare mirë, pasi që sipas tij përveç shkeljeve të drejtave të punëtorit, atij po i bëhet edhe padrejtësi.
“Kam bërë ankesë në të gjitha institucionet e kam këtu raportin zyrtarë të Inspektorati që e kanë dënuar ndërmarrjen “ Trepça” me 4 mijë euro, për shkak të shkeljeve të mija. Po ashtu e kam raportin e mjekësisë së punës në Obiliq, ku tregon se çka mundem me punu e çka jo, mirëpo ata e kanë parë të udhës ashtu dhe me kanë dërguar aty. Në njësinë ku më kanë transferuar ka punëtorë aty që nuk vjen në punë qe tri vite, e njëjta drejtoreshe që më ka denoncuar mua i jep pagë atij personi qe nuk vjen në punë, e mua nuk më kë dhanë pagë për ata dy muaj që kam tejkaluar pushim mjekësorë hiç”, shprehet ish-punëtori i Trepçës.
Brahimi akuzon menaxhmentin e ndërmarrjes se kanë inate personale me të.
Njëri nga ta, sipas është ish Shyqyri Sadiku, i cili dikur kishte qenë kryetar i sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”.
“Ata janë thirr në një raport të mjekës së punës e ai raport nuk ekziston se nuk mundet ajo me marrë një vendim i cili nuk është specialist e duhet raport konsullorë për atë gjë. Aty janë klane, iniciuesi kryesor i gjitha të këqijave në “ Trepçë” është Shyqyri Sadiku, përpiluesi është Arianit Voca, që është drejtor i zyrës ligjore dhe fatali i cili nuk di se çfarë ka nënshkruar është u.d kryeshefi Faton Ahmeti, vetëm pse nuk jam pjesë e tyre. Ata kanë një inati ndaj meje, se nuk jam klan i tyre domethënë jam i drejtpërdrejte jam me punën, kur e kanë pas keq kam thanë e kanë keq unë jam me punën nuk jam me shkatërruesi, ata janë shkatërruesit e “ Trepçës”, thotë ai.
Për këto akuza të Brahimit, televizioni gjatë gjithë javës ka tentuar që të marrë një përgjigje nga Shyqyri Sadiku, mirëpo ai nuk është përgjigjur. Pyetjeve të Tëvë1, nuk u është përgjigjur as ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Faton Ahmeti.