Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.E. dhe L.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, nga data 20.10.2023 e në vazhdim, të pandehurit e mësipërm lidhur me projektin për ndërtimin e lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
“..ashtu që i pandehuri i parë A.E., në cilësinë e menaxherit të kontratës ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshoj projektin dhe të realizoj punët që nuk kanë qenë në projekt duke ndryshuar projektin gjatë ekzekutimit, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe zyrën e autoritetit kontraktues, ndërsa e pandehura e dytë L.G., mbikëqyrëse e drejtpërdrejte, i ka pranuar të gjitha këto shkelje të menaxherit të kontratës, me qëllim që të mundësojnë përfitim për operatorin ekonomik duke konfirmuar me nënshkrimin e tyre të dhënat e pa vërteta për pagesën e vlerës prej 41.270.00 € si dhe për përfundim të punimeve të datës 22.12.2023 në vlerë prej 7.377.20 € edhe pse nuk është realizuar asnjë punim në ndërtimin e lapidarit në fshatin Studenqan duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës. Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.
Prokurori i çështjes, në momentin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të shpallë të pandehurit fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të shqiptohen dënime sipas ligjit. Gjithashtu, ndaj personave zyrtarë të akuzuar, prokurori ka kërkuar që t’u shqiptohet një dënim plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik./teve1.info/







