Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy personave të dyshuar për fajde, kanosje dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas njoftimit të prokurorisë, bëhet fjalë për të dyshuarin me inicialet D.Sh dhe A.Sh.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri D.Sh., nga data 01.09.2022 e në vazhdimësi deri me datë 07.11.2024 në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit [dhënies së borxhit], duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.K., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për biznesin e tij që ishte në falimentim, duke njohur të pandehurin të cilin e kishte bashkëfshatar, i dëmtuari shkon tek i pandehuri me të cilin takohen në Prizren, nga i cili merr 3.000 € (tremijë euro), ku me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 300 (treqind) euro kamata mujore”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se i dëmtuari për 6 muaj rresht vazhdon të paguaj nga treqind euro kamata mujore.
“Pastaj në muajin mars të vitit 2023 i dëmtuari me qëllim të mbylljes së fajdesë sërish nga i pandehuri merr të holla në shumë prej 4.000 € [katër mijë euro], ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguaj shtatëqind euro kamatë mujore, pastaj i pandehuri për shumën e të hollave në vlerë prej shtatëmijë euro, kërkon kamatë mujore në shumë prej njëmijë e pesëqind euro, të cilën shumë i dëmtuari i jep me datë 07.11.2024, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë, me ç’rast i dëmtuari përveç borxhit bazë tek i pandehuri ka paguar kamatë në vlerë prej 18.000 [tetëmbëdhjetë mijë] euro, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerën e lartcekur”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, i njëjti thuhet ka kryer veprën penale “Fajdeja”.
Po ashtu, i pandehuri D.Sh., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit “seriozisht e kanos të dëmtuarin F.K., me fjalë se do ta privojë nga jeta, në atë mënyrë që përmes rrjetit social “Facebook”, i shkruan mesazhe me përmbajtje kërcënuese”.
“Gjithashtu, i pandehuri D.Sh., pasi arrestohet nga ana e policisë për veprën penale ‘Fajdeja’, pas kontrollit trupor, të njëjtit i është gjetur një mbështjellje me foli alumini të materies së bimës së tharë të llojit marihuanë dhe një filtër i cigares e cila dyshohej të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë, të cilat janë sekuestruar nga ana e policisë, dhe pas testimit të kësaj substance, ka rezultuar të jetë pozitiv me përmbajtje të marihuanës, në peshë prej 1.2 gram”, thuhet në njoftim.
“I pandehuri A.Sh., me datë 06.12.2024, në Prizren, me qëllim të frikësimit, shkaktimit të ankthit “seriozisht i kanos me fjalë se do t’i privojë nga jeta ose do t’i rrëmbejë të dëmtuarit F.K., dhe F.K”. – i cili ishte viktimë e ndjeshme për shkak të moshës së mitur, në atë mënyrë që i pandehuri duke qenë në dijeni se i dëmtuari F.K., është viktimë e veprës penale të fajdesë, në të cilën rast i pandehur është djali i axhës së tij – D.Sh., ashtu që i pandehuri A.Sh., në mënyrë që të ndikojë tek i dëmtuari F.K., që i njëjti të tërheq deklaratën e tij në prokurori, përmes aplikacionit ‘WhatsApp’, mes tjerash i shkruan të dëmtuarit F.K., [të miturit] mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen”, thuhet tutje në njoftim.
Me këto veprime, thuhet se i pandehuri A.Sh. ka kryer veprën penale “Kanosja”.
Prokurori i rastit ka propozuar që si mjete të kryerjes dhe dobi pasurore, të pandehurit D.Sh. t’i konfiskohen sendet të cilat i kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.