Një 34-vjeçar ka vdekur pasi u godit nga një veturë në rrugën “Wesley Clark” në Prizren mbrëmjen e sotme.
Lajmin për Tëvë1 e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, rreth orës 19:12, Policia ka pranuar informacion se në Spitalin Rajonal në Prizren është sjellë një person pa shenja jete, siç kanë konstatuar mjekët kujdestarë.
Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se viktima është goditur nga një veturë në rrugën “Wesley Clark” në Prizren.
Në vendin e ngjarjes dhe në spital kanë dalë njësitet policore, ku është konfirmuar se viktima është I.O., mashkull, rreth 34 vjeç.
Sipas Policisë, i dyshuari për aksidentin është D.D., mashkull, rreth 24 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë duke drejtuar një veturë me targa vendore.
Njësitet policore dhe hetuesit e trafikut kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa ngasësi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.










