Zëvendësministri Ahmeti mohon se ka diçka të vërtetë në deklarimet e zyrtarëve serbë se Kosovës po i tërhiqen njohjet e pavarësisë.
Sipas tij këto janë reagime absurde që vijnë pas veprimeve të natyrshme të shtetit të Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare.
“Nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që janë thënë sa i përket çnjohjeve, e dini edhe ju si media por edhe publiku që nuk është publikuar asnjë emër, ka pasur tentime të cilat i kemi parandaluar, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Pra duhet ta kemi parasysh që fushata e të ashtuquajtur çnjohje e Serbisë nuk është ndalë asnjëherë, ne kemi identifikuar edhe në periudhën kur ishte marrëveshja, zotimet e Uashingtonit, pra moratoriumi që Serbia e pranoi që mos ta bëjë atë fushatë, kemi identifikuar afër 30 raste kur Serbia ka bërë një fushatë të tillë në vende të ndryshme. Pas moratoriumit kjo veç është intensifikuar por deri më tani pa sukses, dhe jam i bindur që nuk do të jetë e suksesshme sepse është kuptuar konteksti gjeopolitik veçanërisht pas fillimit të luftës në Ukrainë ku Serbia haptas është rreshtuar në anën e Federatës Ruse”, thotë zëvendësministri i Jashtëm.
Kosova aktualisht i ka 117 njohje dhe e fundit është formalizuar në muajin shkurt të vitit 2021.
Ahmeti thotë se qeveria ka punuar më shumë në thellimin e marrëdhënieve me vendet njohëse por që sipas tij nuk ka pasur mjaftueshëm komunikim në të kaluarën.
Ndërsa shton se prioritet i kanë pesë vendet mos njohëse brenda Bashkimit Evropian.
“Është bërë progres, nuk qëndrojnë të gjitha pesë vendet e BE-së në stadin e njëjtë të zhvillimit, kjo është e qartë por duhet të ndërmerren hapa përpara sepse kjo i kontribuon edhe stabilitetit në rajon, pra pamundëson çfarëdo lloj interesimi të Serbisë për të ndërmarrë hapa të cilët mund të destabilizojnë rajonin dhe çfarëdo revizionizmi të kufijve apo diçka të tillë, të cilat janë projekte që kanë vdekur por e dinë që kanë qenë shumë të diskutuara më parë”, thotë Ahmeti.
Tutje, ai deklaron se kanë punuar edhe me shtete të tjera në krijimin e marrëdhënieve përmbajtëse për çka thotë se të njëjtat do të formalizohen së shpejti, ndërkohë që nuk jep detaje se kur presin që të ketë njohje të reja.
Një takim i nivelit të lartë në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë është paralajmëruar të mbahet më 18 gusht në Bruksel.
Ahmeti thotë se aty nuk ka pse të diskutohet për targat dhe letërnjoftimet meqë ato janë marrëveshje tashmë të arritura dhe zbatimi i tyre, thekson ai, do të nisë më 1 shtator të këtij viti.
Zëvendësministri Ahmeti thotë se së bashku me partnerët ndërkombëtarë është vlerësuar që nevojitet edhe pak kohë për të luftuar fushatën dezinformuese të Serbisë sa i përket vendimit për letërnjoftime.
Ai shton se Beogradi ka përhapur dezinformata se letërnjoftimet e serbëve do të konfiskohen në kufi për çka thekson se me vendim të qeverisë atyre vetëm do t’u shtohet një dokument, praktikë kjo të cilën Serbia e aplikon tash e një dekadë me shtetasit e Kosovës.
“Marrëveshjet të cilat janë arritur janë marrëveshje që janë arritur dhe nuk ka nevojë të diskutohen tutje me Beogradin, prandaj nuk ka asnjë arsye që të shtrohen ato në tavolinë të diskutimit por është parë e arsyeshme nga qeveria jonë që të jepet edhe pak hapësirë deri më 1 shtator që të bëhet një fushatë informuese për gjithë qytetarët e Kosovës të cilët sigurisht shumica prej tyre janë nga komuniteti serb, që t’i kuptojnë të vërtetat mbi këto vendime, gjithashtu edhe benificionet të cilat i kanë duke u liruar nga pagesa të shumta…Sepse njëra nga dezinformatat ka qenë që letërnjoftimet serbe do të konfiskohen, nuk është e vërtetë, siç e dimë vetëm do t’u shtohet një dokument siç ka bërë Serbia për një dekadë, dhe nuk ka asgjë përtej asaj dhe ka pasur një pajtueshmëri të tillë dhe më 1 shtator vendimet do të fillojnë të zbatohen”, thotë Ahmeti.
Numri dy në Ministrinë e Jashtme thotë se Kosova është e gatshme për dialog në Bruksel dhe sipas tij duhet sa më parë të nisë diskutimi për temën kryesore që është njohja reciproke.
“Ne do të jemi konstruktiv në dialog dhe të gatshëm që të takohemi për të gjetur zgjidhje për çështjet që do t’i diskutojmë, sigurisht që duhet të fillojmë sa më parë ta diskutojmë temën kryesore që është njohja reciproke, dhe çfarëdo marrëveshje që arrihet të bëhet duke pasur për bazë njohjen reciproke në mes të dyja vendeve, ashtu siç janë pajtuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kanë deklaruar edhe gjermanët që është zgjidhja e duhur”, thotë ai.
Sipas tij, Beogradi zyrtar zhvillon provokime në teren meqë është i interesuar që Kosova të mos jetë konstruktive në dialog.
Duke folur për ngjarjet e së dielës në veri të vendit ku u shfaqën banda nga Beogradi, Ahmeti thotë se Serbia po e humb mbështetjen e qytetareve serbë në Kosovë.
“Arsyeja pse shohim një formë më eksplicite të organizimit të dhunshëm të këtyre grupeve është se Serbia po e humb mbështetjen e qytetarëve tanë serb dhe nuk ka më gatishmëri për mobilizim të qytetarëve për të dalë në rrugë. Të njëjtën e kemi parë edhe në bllokimet që u bënë vitin e kaluar, ka pasur sanksionime në ndërmarrje publike të komunave në veri për ata që nuk dalin, ka pasur iniciativa të ndryshme, nxitje të ndryshme, benificione për ata që dalin por përsëri nuk arritën një mobilizim masiv. Duke pasur parasysh këtë sigurisht që Serbia është e interesuar t’i bëjë këto bllokime duke shfrytëzuar strukturat e saj kriminale të cilat nuk përfaqësojnë qytetarët serb të Republikës së Kosovës”, thotë ai.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Ahmeti thotë se presin rezultate të prekshme së shpejti por shton se nuk mund të jap datë meqë kjo nuk varet nga Kosova që tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret.
“Kriteret janë plotësuar, ne po përditësojmë të dhënat që tregojmë se kriteret mbetën të tilla madje ka një avancim më tutje në fushat të cilat kanë qenë të përcaktuara si kritere, por nuk po presim aspak, ne po bëjmë punë intensive çdo ditë që ta tregojmë këtë dhe besoj së shpejti do të ketë rezultat të prekshëm në këtë drejtim”, thotë ai.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme thotë se qeveria do të vendosë për momentin e duhur për aplikim për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, por thekson se kjo do të ndodh brenda këtij viti dhe sipas tij do të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtar.
Ai thotë që nuk ka arsye që kjo të shtyhet meqë sipas tij Kosova ka bërë përparime të mëdha në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar
“Nuk besojmë që ka ndonjë arsye që Republika e Kosovës të mos aplikojë, jemi vendi i vetëm që nuk ka aplikuar dhe sivjet ky aplikim do të bëhet. Për momentin e saktë sigurisht që do të vlerësohet por planet janë që sivjet të bëhet aplikimi… Sigurisht që kjo bëhet dhe në koordinim me aleatët tanë dhe është i diskutuar edhe publikisht kjo çështje, pra nuk ka asgjë në prapa skenë apo diçka e tillë sepse është një gjë që vendi ynë e meriton”, thotë Ahmeti.
Para kësaj, Kosova në maj të këtij viti e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ndërsa tani është në pritje të vendoset në rend dite në mënyrë që çështja t’i kalojë Asamblesë Parlamentare.
Ahmeti thotë se presin rezultate pozitive në kuptimin e kalimit të një faze meqë thekson se procesi në tërësi është relativisht i gjatë dhe kompleks.
Sipas tij, ekziston mbështetje nga shtetet anëtare megjithatë shton se janë duke punuar përmes misioneve diplomatike që kjo përpjekje të arrihet./KP