Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka paralajmëruar që së shpejti në Prishtinë, mund të zbarkojnë legjendat e futbollit botëror.
Me këtë, Ademi ka paralajmëruar organizimin e një ndeshjeje miqësore ndërmjet legjendave të FIFA-s dhe UEFA-s.
Ademi, të martën me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se është takuar me disa legjenda të futbollit botëror, në mesin e të cilëve ishte edhe ai i Francës, Youri Djorkaeff.
Sipas Ademit, Djorkaeff ka pranuar të jetë pjesë e miqësores së legjendave botërore, që po planifikon ta organizoj në Prishtinë.
“Kënaqësi të jem në mesin e legjendave të futbollit, Youri Djorkaef dhe Houssine Kharja. Diskutuam rreth idesë që me rastin e inaugurimit të Kampit Nacional të FFK-së të organizohet një ndeshje e veçantë mes Yjeve Legjenda të FIFA-s dhe UEFA-s. Një ndeshje e tillë do të bashkojë emra të mëdhenj të futbollit botëror në kryeqytetin tonë dhe do të shërbejë edhe si promovim për vendin tonë. Djorkaeff e mirëpriti këtë ide dhe u dakordua që ta përfshijë atë në programin e tyre”, ka thënë Ademi.
Në fund, Ademi ka shtuar se data e miqësores së legjendave nuk është përcaktuar ended he se është e varur nga ecuria e përfundimit të punimeve në kamp.