Me rastin e 18-vjetorit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar rëndësinë historike dhe shtetformuese të këtij dokumenti themelor.
Ai ka deklaruar se Kushtetuta ka vulosur shtetësinë, sovranitetin dhe rendin demokratik të vendit, duke e cilësuar atë jo vetëm si aktin më të lartë juridik, por edhe si një udhërrëfyes për forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Sipas Abdixhikut, kjo ditë përkujton me mirënjohje sakrificën dhe përkushtimin e qytetarëve që kontribuuan në ndërtimin e institucioneve dhe në konsolidimin e shtetit mbi vlerat demokratike.
Në mesazhin e tij, ai bëri thirrje që ky përvjetor të shërbejë si frymëzim për të vazhduar angazhimin drejt një Kosove demokratike, të zhvilluar dhe me orientim të qartë euroatlantik.
Në fund, Abdixhiku uroi qytetarët me rastin e Ditës së Kushtetutës.








