Përmes një postimi në Facebook dha një paralajmërim.
Ani pse nuk pati shumë detaje, i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se bëhet fjalë për një projekt të madh.
“Do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim. Një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim”, ka shkruar Abdixhiku.
Hollësi më shumë dha anëtarja e kryesisë së LDK-së, Besa Gaxherri.
“Ne po i thërrasim të gjithë njerëzit intelektual të filozofisë së djathtë që të bashkohemi, sepse është vërtetë momentum për t’u bashkuar Kosova. Nuk ka qenë asnjëherë më qeverisje kaq të keqe që është tash. Prandaj ne duhet të bashkohemi e natyrisht se çdo subjekt politik do të duhet të jetë i hapur për të gjithë qytetarët e vet”, tregon ajo.
Ndonëse në publik po komentohet rikthimi i presidentes Vjosa Osmani sërish në partinë që ishte për shumë vite, nga LDK thonë se për këtë, duhet të zhvillohen bisedime.
“Sa i përket Vjosa Osmani duhet normal një marrëveshje, duhen shumë bisedime, presidentja është president deri në fund të këtij muaji, prandaj edhe nuk mund të flasim nuk mund të japim asgjë në këtë drejtim”, thotë Gaxherri.
E sipas politiologut Dorajet Imeri, statusi i Abdixhikut është një thirrje e pastër për Osmanin që t’i bashkohet LDK-së.
“Ftesa e Abdixhikut është një ftesë për të gjithë që të bashkohen brenda LDK-së dhe kjo është si një ftesë publike për zonjën Osmani ndoshta është edhe e koordinuar që njerëzit të cilët janë të pakënaqur nga këto lëvizje të cilat kanë ndodhur nga zonja Osmani ose kanë shprehur ndonjë konsideratë për të kthehen në LDK si bazë që ata të cilët dikur kanë pasur përkatësinë”, vlerëson Imeri.
Por si po e shohin ish-anëtarë të LDK-së këtë çështje?
“…Nëse eventualisht Vjosa Osmani rikthehet në LDK, atëherë LDK edhe me bashkimin e një pjesë të madhe të listës Guxo edhe me rikthimin e një pjesë të madhe të elektoratit që për hir të Vjosa Osmani e ka votuar Vetëvendosjen, atëherë LDK ka shanse reale që të rikthehet më fuqishëm”, shprehet Adem Salihaj.
Në një intervistë për media ditë më parë, presidentja Osmani u pyet për rikthimin e saj të mundshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës, por e e njëjta tha se do ta shoh interesin e Kosovës në këto momente.





