Tahiri ka bërë të ditur se AAK-ja nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin e Pagave deri sa nuk dihet vlera e koeficientit, raporton teve1.info
Sipas tij, ky ligj nuk duhet të kthehet në pikën zero sepse rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme.
“Ligjin e Pagave, AAK-ja nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri sa nuk dihet vlera e koeficientit, pra deri sa nuk kuptohet sa është rroga e një zyrtari publik. Ky ligj, nuk duhet, edhe një herë të kthehet në pikën zero, pasi që rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme, por duhet gjithësesi të kontestohen në Gjykatë së paku dy probleme: 1) ulja e pagave në Sistemin e Gjyqësorit dhe 2) diskriminimi i administratës publike i komunave në raport me rritjen e pagave dhe kategorizimin e të emëruarve politikë. Të dy pikat janë çështje serioze për Gjykatën Kushtetuese”, ka shkruar Tahiri.
Tutje, Tahiri theksoi se Ligji për Zyrtarët Publik duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese tani, pasi që sipas tij i njëjti vendos kontrollin partiak mbi administratën.
“Ligji për Zyrtarët Publik duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese tash, pasi që i njëjti vendos kontrollin partiak mbi administratën, duke rrezikuar në plotësi reformat, me shpërfillje ndaj komenteve të SIGMA-së dhe BE-së. Me këtë rast, AAK është në koordinim dhe i bashkohemi bllokut opozitar për të ngritur çështje kushtetuese, e për ta kthyer në binarë këtë proces”, ka shkruar Tahiri.