Ministria e Rinisë dhe Sportit në Kosovë pritet të ketë një fokus më të qartë dhe të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sportit pas ndarjes nga Ministria e Kulturës, derisa përgatitjet për Lojërat Mesdhetare dhe investimet në infrastrukturë sportive mbeten prioritet kyç.
Në një intervistë për KosovaPress. drejtori i Agjencisë për Sport, Fidan Shatri ka folur për zhvillimet aktuale, planet konkrete dhe sfidat që lidhen me këtë proces.
Sa i përket angazhimit të ministrit të Ministrisë së Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, dhe vizitave në terren, Shatri e cilësoi këtë si vazhdimësi të proceseve ekzistuese. Ai theksoi se investimet në infrastrukturë janë të lidhura drejtpërdrejt me organizimin e Lojërave Mesdhetare dhe përbëjnë një zotim të madh shtetëror.
“Çështja e infrastrukturës sportive në kuadër të Lojërave Mesdhetare, fokusi i qeverisë ka qenë në momentin kur edhe janë marrë organizimi i Lojërave Mesdhetare dhe normal që janë zotuar 250 milionë euro të cilat do të shkojnë në infrastrukturë sportive dhe po besoj që dita-ditës projektet të cilat janë paraparë që të zhvillohen aktivitetet në kuadër të Lojërave Mesdhetare, të fillojnë disa projekte të reja, por të bëhet edhe një investim edhe renovim i gjendjes aktuale të infrastrukturës, e cila është paraparë edhe me librin e kandidaturës, por edhe me zhvillimet në kuadër të punës të cilën e kemi bërë deri më tani. Është çështje që i takon Qeverisë së Kosovës, sidomos infrastruktura sportive, pasi që është mandat, funksion i qeverisë, zotim i qeverisë për infrastrukturën sportive dhe po besoj që është plan konkret për Lojërat Mesdhetare sa i përket infrastrukturës sportive”, theksoi Shatri.
Në lidhje me ndikimin e situatës politike në Kosovë, Shatri pranoi se mund të ketë ngadalësime, por jo ndalim të proceseve.
“Normal që ndikon pasi që në vitin e kaluar qeveria në detyrë ka kompetenca të kufizuara, aq sa di unë, dhe ato kompetenca kanë bërë të lënë për proceset që mos të ecin ashtu vrullshëm, në krahasim me një situatë normale kur e kemi politike. Por fokusi i qeverisë për Lojërat Mesdhetare është fokus i veçantë ndoshta, në krahasim me punët e tjera dhe interesi jonë shtetëror është përtej Lojërave Mesdhetare, pra të kemi një trashëgimi të infrastrukturës sportive edhe pas Lojërave Mesdhetare dhe normal që Lojërat Mesdhetare do të shërbejë, të shfrytëzohet kjo mundësi për investimin në gjithë vendin tonë ku është edhe synim dhe do të jetë besoj synimi i Qeverisë së Kosovës”, vijoi tutje Shatri.
Sa i përket mundësisë për rrezikun e humbjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare, Shatri i hodhi poshtë këto pretendime.
“Jo, nuk kemi diçka dhe nuk besoj që do të arrijmë në atë pikë që të hiqet dorë ashtu lehtë, nëse mund me e thënë. Nuk kam dëgjuar diçka, po ligji është kthyer prej Gjykatës Kushtetuese dhe besoj që në muajin e ardhshëm, nëse situata me Kuvendin e Kosovës është e normalizuar, ligji do të procedohet prapë për qeveri dhe Kuvend të Kosovës dhe besoj që shumë shpejt do të kemi ligj për Lojërat Mesdhetare”, ka thënë ai.
Duke folur për projektet konkrete që pritet të nisin, ai përmendi disa investime të rëndësishme infrastrukturore.
“Unë besoj shumë shpejt që edhe projektet e tjera të cilat janë të parapara me, do të definohen, sikur qendra akuatike, qendra e tenisit, dhe infrastrukturë tjetër e shenjëtarisë, do të definohen shumë shpejt për investime që të fillohet me investime në këtë drejtim, në infrastrukturën përkatëse. Është duke u punuar në qendrën e studentëve ku do të shërbejë për akomodim të sportistëve. Gjithashtu, në të njëjtën kohë është duke u punuar në Pallatin e Rinisë i cili do të, do të investohet, pra do të renovohet tërësisht”, bëri të ditur Shatri.
Në fund, ai foli edhe për stadiumin kombëtar, duke lënë të kuptohet se vendimet priten së shpejti.
“Ministri Gashani është njoftuar për të gjithë procesin deri më tani për të Lojërave Mesdhetare prej vitit të kaluar kur ka filluar edhe CMG-ja tranzitore për Lojërat Mesdhetare. Është njoftuar për gjithë situatën dhe po mendoj që shumë shpejt edhe do të definohet edhe çështja e stadiumit, edhe çështja e gjithë infrastrukturës sportive e cila është e paraparë dhe është interes nacional për me investuar në infrastrukturë sportive”, tha në fund ai.
Lojërat Mesdhetare përfaqësojnë një nga ngjarjet më të mëdha shumë-sportëshe në rajon, ku marrin pjesë shtete nga Evropa, Azia dhe Afrika që dalin në Mesdhe. Për Kosovën, organizimi i këtij eventi nuk ka vetëm rëndësi sportive, por edhe dimension ndërkombëtar dhe zhvillimor, pasi shihet si mundësi për të rritur prezencën e vendit në arenën globale dhe për të modernizuar infrastrukturën sportive në disa qytete njëkohësisht







