Njoftimin për dorëheqje e bënë para më shumë se një muaj.
Ekipi menaxhues i Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit hoqën dorë nga pozitat e tyre për menaxhimin e kontratës 12 milionë euroshe.
E nga opozita në Prishtinë thonë se arsyet janë nga keqpërdorimi i projektit të prezantuar.
“Mendoj që aludimet janë të qarta se kemi të bëjmë me keqpërdorimin me vet kontratën, keqpërdorimin e vet projektit të prezantuar dhe me gjasë ata persona ata individë të cilët ne i njohim që kanë punuar në komunë, është fjala për menaxherët e kontratave nuk kanë dashur të jenë pjesë e një kontrate të tillë të dyshimtë”, ka thënë Gëzim Sveçla nga Vetëvendosje.
Mirëpo nga Komuna e Prishtinës theksojnë se zyrtarët janë larguar për shkak të mbingarkesës në punë.
“Menaxheri dhe mbikëqyrësit e kontratës së Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit kanë kërkuar të lirohen nga kjo përgjegjësi shtesë që kanë patur për shkak të mbingarkesës në punë. Dy prej tyre janë shefa të sektorëve me shumë përgjegjësi dhe detyra në sektorët ligjor dhe të planifikimit, pozita këto me ngarkesë të madhe”, thuhet nga komuna.
Nga ky institucion bëhet e ditur se Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit ka të angazhuar dhjetëra arkitektë e staf dhe është duke punuar paralelisht në rreth 35 projekte.
Mirëpo se cilat janë këto projekte, sipas Organizatës INPO nuk dihet akoma.
“Vlera e kontratës është jashtëzakonisht e madhe dhe është shumë e rëndësishme të dihet se cilat projekte janë duke u hartuar përmes kësaj kontrate dhe ajo çka neve na intereson më së shumti është se këto projekte në të cilat hartohen me anë të kësaj kontrate, a janë pjesë e buxhetit fillimisht të vitit 2024 dhe a janë pjesë e kornizës afatmesme të shpenzimeve pra 2024-2026”, ka thwnw Arbwr Kabashi nga INPO.
Nga Komuna e Prishtinës poashtu bëjnë të ditur se janë në proces të emërimeve të reja dhe të zgjerimit të ekipit menaxhues dhe mbikëqyrës të Shërbimit të Arkitektit nga tre në pesë zyrtarë.
Tëvë1 kërkoi të dijë nga Prokuroria Speciale nëse kanë filluar hetimet lidhur me këtë çështje, mirëpo deri në publikimin e kronikës ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.