Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka mohuar se kjo parti ka zhvilluar negociata me Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt për një koalicion parazgjedhor.
Ai këtë e ka bërë të ditur në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
“Nuk ka pasur ndonjë negociatë me partinë e Nismës Socialdemokrate, kemi dëgjuar për negociatat se mund të ketë ndonjë koalicion PDK-Nisma, por prej anës tonë nuk ka pasur ndonjë negociatë në këtë drejtim”, tha Mustafa.
I pyetur nëse do të jenë të gatshëm për bashkëpunim me Nismën Socialdemokrate, Mustafa tha se ata nuk janë përjashtues dhe nuk do të jenë as pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Ne nuk jemi përjashtues, ne jemi të fokusuar në një përbashkim të të gjitha strukturave të PDK-së, përfshirë njerëzve që në një kohë të caktuar kanë qenë me PDK, por që gjatë rrugës janë pasivizuar apo janë tërhequr. Qëllimi jonë është të mbledhim çdo aktivist, kontribuues që beson në vizionin Hamza për një Kosovë më të mirë. Nuk jemi përjashtues dhe nuk do të veprojmë me parimin e përjashtimit as pas zgjedhjeve”, tha ai.









