Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i rezervuar sa i përket mundësisë për rikthimin e presidentes Vjosa Osmani në këtë parti.
I pyetur nga gazetarët, Mustafa ka refuzuar të komentojë drejtpërdrejt këtë çështje, duke theksuar se nuk dëshiron ta lidhë temën e diskutimit me emra konkretë.
“Unë do t’iu kërkoja falje sepse sot është krejt një temë tjetër dhe nuk do të dëshiroja që këtë çështje që e kemi hapur sot në akademi ta ndërlidh me emra konkretë, kush synon dhe çka bën në të ardhmen… Unë po shoh se po insistoni, por unë për vete nuk do të jap deklaratë për Vjosën”, ka deklaruar Mustafa.
Ndërkohë, ai u bëri thirrje partive parlamentare që të bashkëpunojnë për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas tij, për të shmangur zgjedhjet, është e nevojshme arritja e një marrëveshjeje politike për një figurë konsensuale.
Mustafa ka theksuar se ka mjaft personalitete të përshtatshme për këtë post, por sfida mbetet gatishmëria e partive politike për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
Këto komente ai i bëri pas promovimit të librit të tij “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me BE-në”.
Në këtë aktivitet morën pjesë deputetë, zyrtarë dhe ish-funksionarë të lartë të LDK-së, ndërsa mungoi kryetari aktual i partisë, Lumir Abdixhiku.
Mustafa është shprehur se në promovim kanë marrë pjesë ata që kanë dashur të jenë të pranishëm.
“Nuk e kemi ftuar askënd. Ne kemi përpara publikime të librit dhe kanë ardhur ata që kanë dashur të vijnë dhe kemi punuar një kohë të gjatë”, ka thënë ai.




