Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, thotë për KosovaPress se nuk do të përfshihen në asnjë koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, nëse kjo e fundit si parti fituese e zgjedhjeve nuk arrin të formojë ekzekutivin dhe radha kalon te partitë e tjera, atëherë janë të hapur për të parë mundësinë e formimit të qeverisë.
Mirëpo, siç thekson Haziri, qeveria duhet të udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku dhe fokus të jetë programi zgjedhor i LDK-së. Megjithatë, ai deklaron se në takimet e Abdixhikut me kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj nuk është diskutuar ndarja e pushtetit, por vetëm është konstatuar gjendja aktuale politike.
Përkitazi me këtë, Haziri thotë se “LDK-ja nuk do të mban mbi shpinë askënd në interes të Kosovës e aspak në interes të vetin”. Mirëpo, ai e vë në pah edhe rrezikun që vendi të shkojë në një krizë të re politike.
Haziri deklaron se do të respektojnë rezultatin dhe besimin e dhënë nga qytetarët, megjithatë përsërit frazën e famshme të tij se “formimi i qeverisë së ardhshme kalon nga zyrat e LDK-së”.
“Roli jonë është ‘as-as’, duhet lexuar drejt. Nuk është i kushtëzuar dhe që nuk ekziston komunikim. I vetmi mungesë komunikimi që LDK-ja tani e ka është me LVV-në. S’ka as bashkëpunim partiak dhe bashkëpunimi institucional në Kuvend është bërë njëanshëm nga LDK-ja. Sa është lexuar bashkëpunim ai është diçka tjetër, por ne kemi vepruar për qëllime politike më të mëdha. Tash jemi në pozicionin e njëjtë. “Jo”-në tonë karshi bashkëpunimit me LVV-në në formim të ekzekutivit e kemi bërë të qartë. Në anën tjetër, raporti me partitë e dytë dhe partitë tjera që janë në Kuvend, AAK-Nisma dhe pakicat etnike ne kemi bashkëpunim dhe komunikim për aq sa kohë nevojë ky proces zgjedhor. Mirëpo, në shpinë me bartë dikë më jo. LDK-ja në këto 25 vjet i ka mbajtur të gjitha partitë politike në shpinë. Ka dalë e para ia ka dhënë të tretin, po ashtu ka dalë e dyta ka udhëheq qeverinë dhe çdo formulë politike që ka qenë në Kosovë, LDK-ja e ka kapitalizuar në interes të Kosovës dhe shumë më pak në interes të vetin. Këto zyre që po shihni ju prapë mbetën zyre që kalon kryeministri dhe presidenti. Sërish pse e kemi atë rol. Ne nuk jemi arrogant në politikë dhe nuk shantazhojmë politikisht”, tha Haziri.
Haziri pasi konfirmon takimet e Abdixhikut me liderët e partive të tjera opozitare, thotë se për LDK-në është primare harmonizimi i programit qeverisës, por sipas tij, të njëjtin duhet ta udhëheqë në qeveri lideri i partisë.
“Nuk është ndarja e pozicioneve kjo e as ndarja e pushtetit që mund të pengojë ndërtimin e ekzekutivit. Më shumë është për LDK-në dhe vetmja arsye është programi qeverisës. Natyrisht, këtë program ne e ofrojmë me njeriun që ka udhëheq ndërtimin e programit. Ne nuk mund të bëhemi ‘arnë’ politike as në të djathtë dhe as të majtë. Dëshirojmë politikisht me lëvizë duke ofruar një program. Ai program ka subjektin politik që është LDK-ja dhe ka kryetarin dhe kryesinë e LDK-së. Ne të gjithë e dina se pa LDK-në s’ka mundësi, s’po flasim për stabilitet tash, por për pjesën zbatuese të politikave. Kapacitetet njerëzore të tjerëve iu mungojnë. Nuk do ta quaja kusht, por e vetmja mundësi që LDK-ja të shohë rolin e vet është programi në radhë të parë jo kryeministri. Natyrisht, ndërtimin e atij programi e ka udhëhequr kryetari i LDK-së, i cili duhet të udhëheqë me qeverinë… 14:11 Takimi i parë ka konstatuar gjendjen me thënë të drejtën. Pak a shumë është ajo që quhet jo mirëmbajtje, por vlerësim i përbashkët në gjendjen që jemi dhe mos me lejuar që kjo Republikë me u bë peng”, shtoi Haziri.
Megjithatë, Haziri thotë se LDK-së nuk duhet t’i bëhet presion publik nga askush për të bërë qeverinë me PDK-në dhe AAK-Nisma.
Duke komentuar akuzat e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj se LDK-ja ka pozicion bllokues në formimin e qeverisë nga opozita, Haziri thekson këso qëndrime nuk presin nga ata që kanë histori bashkëpunimi me LDK-në dhe që dëshirojnë rrugë bashkëpunimi.
“Ne nuk dëshirojmë dhe nuk presim presion publik nga askush. Nuk do të donim që bashkëpunimi politik dhe roli jonë politik të kalojë në formë të tillë të debateve. Ne nuk ndryshojmë në atë çka kemi konfirmuar para disa javësh. LDK-ja rolin e vet nuk e forcon por as nuk pranon me zbut për shkak të këtij rezultati zgjedhor nga askush… 20:57 Do të doja që në këtë fazë mos me pas këso lloj qëndrimesh politike nga ata që me LDK-në kanë histori bashkëpunim dhe me LDK-në dëshirojnë rrugë bashkëpunimi. Qëndrimet tyre i respektojmë, por nuk i falim më”, thotë Haziri.
Megjithatë, Haziri shpreh brengën se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë të zvarrisë formimin e institucioneve të reja, duke prolonguar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Për rrjedhën e afatit ligjor prej 15 ditësh për formimin e qeverisë fillimisht duhet zgjedhur trupat e Kuvendit, përfshirë kryetarin dhe nënkryetarët.
Sipas vendimi të Gjykatës Kushtetuese 2014, në rastin e atëhershëm VLAN, nominimi për kryetar të Kuvendit i takon partisë fituese të zgjedhjeve.
Prandaj Haziri thotë se vendi më shumë ka mundësi të hyjë në krizë politike sesa të ketë qeveri të re.
“Më shumë ka mundësi me hy në krizë politike sesa në qeveri të re…Por kjo nuk do të duhej me qenë pakufija. As nuk mundet me pas zgjedhje të përbashkëta parlamentare dhe lokale, pasi duhet me pas konsensus për këtë punë. S’mundet të ketë zgjedhje të dyfishta dhe s’ka Kosova komoditet financiar të shpenzojë çdo tre-katër muaj miliona për zgjedhje. S’ka nevojë të projektohen kriza ende pa filluar. Tash flitet për presidentin, a duhet të jetë pjesë e pakos ajo, natyrisht. Partitë politike që dëshirojnë stabilitet, mandat të rregullt duhet të ketë marrëveshjet politike të zbardhura të mos lejohen bomba të kurdisura brenda. Për ta pasur këtë formulë në tavolinë as kryetari i Kuvendit s’dihet kush me qenë. Partia e parë mund të negociojnë këtë pozitë dhe sipas marrëveshjes mund të nominojnë dikë tjetër. As një pozitë në Kosovë nuk është e mbyllur janë të hapura”, përfundon Haziri.
KQZ të enjten certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.
Ky rezultat ia siguron Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve 48 deputetë në Kuvendin e Kosovës, PDK-së 24 deputetë, LDK-së 20 deputetë, koalicionit AAK-Nisma 8 deputetë si dhe komunitet jo shumicë 20 deputetë.
Pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, ka nisur rrjedha e afatit 30-ditorë për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri të Kosovës. Këshilltari për media nga Presidenca Bekim Kupina ka konfirmuar për KosovaPress se presidentja Vjosa Osmani një gjë të tillë do ta bëjë brenda afatit ligjor.