Marshi ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, drejt objektit të Qeverisë së Kosovës.
Aty është parë edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu iniciues i projektligjit për tërheqjen e mjeteve të kursimeve pensionale, raporton teve1.info,
Mbi 17 mijë qytetarë kishin nënshkruar peticionin për tërheqjen e këtyre mjeteve, iniciativë kjo e nisur nga PSD.
Nga Qeveria kanë kundërshtuar lejimin e tërheqjes së mjeteve nga kursimet pensionale.
Iniciatori i kësaj proteste, Adnan Jashari, duke përmendur krizën ekonomike, tha se lejimi i tërheqjes së Trustit do të kishte impakt pozitiv në ekonomi.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, kërkoi nga kolegët e tij që të marrin vendim pro tërheqjes, pasi sipas tij humbjet në Trust janë të mëdha duke marrë për bazë humbjet e Trustit.
“Populli duhet të pyetet dhe kërkesat e qytetarëve duhet të merren parasysh. Projektligji ka ardhë me nënshkrime të qytetarëve dhe Trusti duhet të përkrahet nga 120 deputetët. Kriza është e madhe dhe humbjet në investimet e Trustit janë të mëdha, dhe ftojmë që të bëhet reformë në Trust që gjenerata të paguajë për gjeneratën”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se ka mendim pro votimit të Projektligjit edhe nga ana e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sipas raportit të fundit të Trustit, humbja e mbi 200 milionë eurove për nëntë muaj, dhe duhet reflektonte tek të gjithë deputetët dhe që të votonte këtë kërkesë të qytetarëve. Është një momentum i rëndësishëm që të rikthehet në një fazë tjetër të reformës pensionale. Ka reflektim edhe brenda deputetëve të Vetëvendosjes që do ta mbështesin këtë Projektligj dhe ka edhe lëvizje brenda Kuvendit, të cilat e bëjnë të mundshme votimin e këtij Projektligji”, u shpreh Haxhiu.“
Nexhat Lluminca, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut tha se shumica e punëtorëve janë pro tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i
“Protesta është e organizuar nga një grup i qytetarëve, mirëpo ne si Sindikatë jemi të obliguar që ta mbështesim këtë protestë, për arsye se punëtorët e KEK-ut janë deklaruar se janë pro tërheqjes së Trustit, për arsye se është gjendje e rëndë ekonomike tek qytetarët dhe kjo nuk do na ndihmonte vetëm neve si punëtorë por do t’i ndihmonte gjithë qytetarëve, për arsye se të gjithë kanë familje dhe po shihet çfarë kohë është dhe çfarë inflacioni është”, tha ai. /teve1.info/









