Temat kryesore të këtij takimi ishin angazhimi i Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër, zbatimi i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Sir Stuart Peach ritheksoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, si dhe për nismat për bashkëpunim rajonal.
“Duke theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Kryeministri Kurti ritheksoi synimin dhe angazhimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s… Kryeministri Kurti e njoftoi emisarin Peach për masat e ndërmarra nga Qeveria, në mbështetje të qytetarëve, nëpërmjet Pakos për Përballje me Inflacionin si dhe asaj të Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, u theksuan pasojat ekonomike dhe energjetike të agresionit rus.
U bisedua për bashkëpunimin rajonal dhe Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Po ashtu, u fol dhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor “The Ëestern Balkans Summit 2022”, organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, që do të mbahet nesër në Prishtinë. /teve1.info/