Në vitin 2017 është nënshkruar kontrata e fundit për furnizim me jelekë antiplumb për policët kosovarë.
Qe tri vjet, pa kontratë valide për këto lloj furnizimesh është institucioni i Policisë së Kosovës.
Mirëpo, nuk kanë munguar përpjekjet për tenderime.
Pas disa ritenderimesh bazuar në ankesat e operatorëve ekonomikë, Policia e Kosovës anuloi në tërësi tenderin për furnizim me jelekë antiplumbë.
Për këtë, njëri prej operatorëve ekonomik i është drejtuar edhe Organit Shqyrtues të Prokurimit.
“Ne vlerësojmë se vendimi i Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik. Vendimi i OSHP-së askund nuk ka rekomanduar/urdhëruar që Autoriteti Kontraktues të anulojë aktivitetin e prokurimit. Ndërsa Policia e Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me këtë vendim si dhe në kundërshtim me raportin e ekspertit dhe me mendimin e ekspertit të caktuar pikërisht nga OSHP, i cili ka rekomanduar që lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në ankesën e operatorit ekonomik.
Në favor të këtij operatori ekonomik, është edhe eksperti shqyrtues, i cili rekomandon ritenderim.
“Bazuar në sqarimet e lartëpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesat e OE-ve ankues të aprovohen si të bazuara, ndërsa vendimi i AK-së për anulim të aktivitetit të refuzohet dhe lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet nga eksperti shqyrtues.
Zvarritja e procedurave tenderuese, sipas kreut të Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri, ka ndikim në punën e përditshme të policëve.
Për furnizimet me jelekë antiplumbë, ishin ndarë nga Policia e Kosovës, mbi 3 milionë euro.
Kronika e realizuar nga gazetarja Florijeta Dernjani.