Ndonëse ka kaluar një kohë që atëherë, për situata të tilla ka folur sërish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes, ai tha se nëse është nevoja, KFOR do të ndërhyjë.
“Në Kosovë, misioni KFOR i NATO-s ruan një mjedis të qetë dhe të sigurt në përputhje me mandatin e saj të OKB-së. Në muajt e fundit, ne kemi parë që tensionet të shpërthejnë në shumë raste. Të gjitha palët duhet të sillen me përgjegjësi, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e vetmja rrugë përpara. Dhe KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërkohet”, tha Stoltenberg.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi thotë se deklaratat e Stoltenberg tregojnë që NATO ka informacione të sakta nga shërbime të ndryshme për situatën në veri të vendit.
“Deklarimi i Sekretarit të Aleancës Veri-atlantike të NATO-s, për nevojën e intervenimit eventual në Veriun e Kosovës, është një sinjal se shërbimet e caktuara të cilat merren me hulumtime rreth informacioneve për veprime të dhunshme nënkupton që janë mirë të informuar se në Kosovë mund të kemi aktivitete të dhunës dhe rrjedhimisht me këto deklarime mundohet që të përgatisin opinionin për veprime apo shtimin e forcave eventuale”, deklaroi Elezi.
Sekretari Stoltenberg në adresimin e fundit, po ashtu tha se disa vende aleate kanë shprehur gatishmërinë të rrisin numrin e trupave në kuadër të KFOR-it.
Kronika e gazetarit Valmir Gallopeni.