“Është një kërcënim shumë serioz, ju kujtoj se Presidenti i Ukrainës tha se me siguri ushtria ruse është duke humbur në fushën e betejës dhe ndaj qeveria e Rusisë po përdor terrorin dhe situata është shumë e vështirë. Situata në Ukrainë mbetet e vështirë, deri më 10 tetor popullsia pjesërisht ishte rikthyer në jetën normale por pas goditjes me raketa, janë dëmtuar shumë objekte, përfshirë objekte e infrastrukturës kritike dhe vendbanimet. Situata u përkeqësua menjëherë. Shkollat dhe universitetet sot kanë filluar online. Puna vazhdon, kafenetë dhe restorantet janë hapur, por njerëzit shumë shpesh duhet të shkojnë në vendet e strehimit. Sulmi ndodhi në kohën kur njerëzit po shkonin në punë, po parkonin makinat e tyre. Ky është realiteti, një realitet ku ne kuptojmë që pala ruse po krijon panik duke vrarë njerëz të thjeshtë dhe duke shkatërruar strukturën kritike”, tha ambasadori i Ukrainës.
Ai bëri thirrje për më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, ku tha se është shumë e nevojshme që vendi të forcojë mbrojtjen ajrore.
“Unë mendoj qe mbështetja nga SHBA do të vazhdojë pasi pas sulmeve raketore Presidenti Zelensky ka patur një bisedë me Presidentin Biden ku u diskutua mbi bombardimet dhe rëndësinë e mbrojtjes ajrore. Ishte dhe një takim, urgjent i G7 ku u diskutua për një mbështetje të radhës me armatime për Ukrainën. Sot do bëhet një mbledhje e OKB. Mbështetja e SHBA vazhdon dhe është e përqendruar në furnizimin me armatime. Bëj kërkesë për mbështetje ushtarake ndaj Ukrainës. Është shumë e nevojshme të kemi armatime që të ndalojnë dronët dhe raketat kemi nevojë të përmirësojmë mbrojtjen tonë ajrore”, theksoi Shukrov.
I pyetur mbi jetën e qytetarëve në Ukrainë, ambasadori u shpreh se ata janë tashmë shumë më të bashkuar dhe se vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme, por i duhet të vrapojnë për të shkuar nëpër vendstrehime në momentin që dëgjohen sirenat e alarmit, për shkak se rreziku është real.
“Ukrainasit sot janë shumë të bashkuar dhe e mirëkuptojnë faktin e rrezikut që ekziston sot, por puna vazhdon në të njëjtën kohë, vetëm se gjatë sirenave të sulmeve ajrore, ata detyrohen të shkojnë të vendstrehime sepse rreziku është shumë i lartë. Por vendi vijon të punojë”, tha Shukrov.
Breshëria e sulmeve me raketa të së hënës ishte bombardimi më i rëndë që ka parë Ukraina që nga ditët e para të luftës. Disa sulme goditën Kievin, hera e parë që kryeqyteti është shënjestruar pas disa muajsh. Zonat civile duke përfshirë një park popullor dhe shesh lojërash për fëmijë u goditën gjatë orës së pikut të mëngjesit. Infrastruktura u shkatërrua, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në shumë lagje./KP







