Këtu sipas aktakuzës së prokurorisë, ish-kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi në bashkëpunim me ish-drejtorin e Administratës dhe Financave në KPM, Arben Bilallin kërkuan dhe morën ryshfet nga kompania “Telkos”.
Sipas dëshmitarit, Elhami Haziri, që është edhe njëri nga pronarët e “Telkos-it”, nuk kishin probleme deri në vitin 2019.
Por, ato filluan me emërimin e Luan Latifit, si kryeshef në KPM.
“Deri në vitin 2019, ne si operator nuk kemi pasur probleme me KPM, dhe me ardhjen në krye të KPM-së të Luan Latifit, ai mori iniciativë për ndryshimin e një neni në rregulloren e KMP-së, e cila e rregullonte tregun media kabllor. Jemi ankuar me ndërrimin e kësaj rregullore, 2016/01, por përgjigja ka qenë se nuk ka kuorum në atë kohë”, deklaroi Haziri.
Ai thotë se pranuan një email, përmes të cilit u akuzuan për mosraportim të saktë për territorin që e mbulon kompania “Telkos”.
Kjo, sipas dëshmitarit, solli edhe takimet e para me zyrtarët e KPM-së.
“Pastaj kemi shkuar me Enver Berishën në zyre të Arbeni dhe kemi vendos me incizu bisedën, sepse kemi parë elemente të korruptimit në këtë çështje. Në takim na ka pritur vetëm Arbeni, i cili tha se unë iu dërgova me krye punë me Luanin, po ju nuk paski kry”, shtoi Haziri.
Pas këtij takimi, dëshmitari thotë se u takua edhe me vet kryeshefin e KPM-së, Luan Latifin, që tani ndodhet në bankën e të akuzuarit.
“Në takimin e dytë me Luanin kom vendos me incizuar edhe Luanin, dhe e kam përdor telefonin tim personal. E kom njoftuar Luanin që Arbeni po kërkon pare”, u shpreh Haziri.
Në dëshminë e tij njëorëshe, Haziri ka treguar se sa para, sipas tij, ia kërkuan drejtuesit e KPM-së.
“Arbeni (Billalli) m’u ka drejtuar që kur të shkosh me bo pazar, nuk duhet me u lavdu, po duhesh me u paraqit si fukara. E kuptova që e paskan rrit pazarin. Arbeni me tha që Luani po i kërkon 25 mijë euro për këtë punë”, tha Haziri.
Më pas, ai deklaroi se rastin e paraqiti në Policinë e Kosovës.
Ndërsa, në bashkëpunim me organet e rendit, takimin me ish-drejtori i Administratës dhe Financave në KPM, Arben Bilalli, e lanë në Gjilan.
“Atëherë jemi kthyer tek vetura e Arbenit, ia dhashë paret, i thashë numëroj, tha jo po të besoj dhe më tha ma bëj hallall, se të kam ba presion, po edhe mua Luani më bënte presion. Gjatë kësaj kohe kam qenë më përgjuesit që mi ka vënë Policia e Kosovës”, shtoi Haziri.
Këto akuza i ka mohuar ish-kryeshefi i KPM-së, Luan Latifi në seancat e kaluara.
Ndërsa fajin e ka pranuar, ish-drejtori në KPM, Arben Billalli, i cili në muajin korrik është dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë.
Kronika e gazetarit Fidan Zejnullahu.