Desiderio është shprehur i lumtur që ka ardhur në Kosovë për herë të parë dhe i ka përgëzuar autoritetet lokale që u japin mbështetje organizimeve të tilla.
Në mesin e shumë të pranishëm në ceremoninë hapëse të festivalit dhe në koncertin e Desiderio-s, ishte edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Qeku, zëvendësambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Alyson Grunder si dhe drejtoresha për Kulturë në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi. Kjo e fundit theksoi se si komunë janë të lumtur që e kanë përkrahur festivalin “Mitrovica Guitar Days”, dhe që janë partnerë në këtë festival tradicional.
“Jemi ndër komunat e rralla, mos të them e vetme që prioritetin e dytë krahas me arsimin, e kemi kulturën, sepse besojmë se një qytet zhvillohet duke e zhvilluar kulturën e sidomos një qytet me traditë të kulturës si në muzikë klasike, rok jazz dhe në të gjitha fushat e tjera. Artistët padyshim janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë e ne si Mitrovicë kemi shumë”, ka deklaruar Idrizi.
Ndërkaq, drejtori i Festivalit, Erhan Mujka, ka thënë se është i kënaqur që festivali që ai po e organizon po vije duke zgjuar interesim çdo herë e më të madh. Festivali do të qëndrojë i hapur deri me 12 tetor dhe në kuadër të tij do të organizohen masterclasses nga kitaristë me renome botërore, si dhe do të ketë punëtori, prezantime dhe koncerte të tjera. /teve1.info/