Ai e ka bërë këtë deklaratë sot në pritjen për anëtarët e Komitetit të Këshillit të BE-së për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave në Kosovë, organizuar nga EULEX-i dhe Ambasada e Çekisë.
“Qeveria dhe populli i Kosovës besojnë në BE dhe ne mendojmë se BE-ja duhet të ketë ambicie të mëdha për Ballkanin Perëndimor dhe për vete. BE-ja duhet të përparojë, ne të gjithë duhet të mbrojmë BE-në dhe BE-ja duhet të zgjerohet”, ka deklaruar Kurti.
Shefi i ekzekutivit po ashtu ka folur edhe për punën e Qeverisë së tij dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuuar në sigurinë ndërkombëtare.
“Ne kemi ndërmarrë gjithashtu hapa për të rritur dialogun me komunitetin serb, dhe komunitetet e tjera joshumicë në vendin tonë, në mënyrë që t’i integrojmë ata si qytetarë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë të vendit tonë. Të drejtat e pakicave tona janë të mbrojtura dhe do të vazhdojnë të jenë. Ne themi se barazia për të gjithë është e nevojshme që të kemi demokraci të shëndetshme”, është shprehur Kurti.
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen për anëtarët e Komitetit të Këshillit të BE-së për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave në Kosovë, organizuar nga EULEX-i dhe Ambasada e Çekisë:
Të nderuar anëtarë të Komitetit të Këshillit të BE-së për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave në Kosovë,
I nderuari shef i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Ambasadori Lars-Gunnar Wigemark,
I nderuari i Ngarkuar me Punë i Ambasadës së Çekisë në Prishtinë, z.Pavel Bílek,
I nderuar Ambasador i BE-së, Shef i Misionit, z.Tomáš Szunyog
Të dashur miq, kolegë dhe partnerë,
Zonja dhe zotërinj,
Ju faleminderit shumë për organizimin e kësaj pritjeje. Dëshiroj t’u uroj mirëseardhje të ngrohtë në Republikën e Kosovës mysafirëve tanë nga delegacioni i CIVICOM.
Jam njoftuar se qëllimi i vizitës së këtij delegacioni është “të bëjë vlerësimin e punës së Misionit të EULEX-it në Kosovë dhe të kuptojë më thellë situatën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë në terren”.
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, jam i lumtur të raportoj se pas vetëm një viti e gjysmë në detyrë, kemi bërë përparime të mëdha pikërisht në këto fusha. Vitin e kaluar, ne u përmirësuam me 17 vende sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe 17 vende të tjera në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror të Reporterëve pa Kufij; dhe ne jemi numër një në rajon për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit Botëror të Drejtësisë. Gjatë mandatit tonë aktual ne kemi kryer edhe rreth 800 operacione policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit dhe kemi arrestuar mbi 2000 persona, duke përfshirë rreth 300 zyrtarë publikë apo shtetërorë. Kemi shpërbërë 68 banda kriminale dhe kemi konfiskuar mbi 1.7 ton drogë ilegale.
Në vazhdën e invazionit të paligjshëm të Ukrainës nga Federata Ruse këtë vit, Rusia ka shtuar përpjekjet e saj për të destabilizuar situatën e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në bashkëpunim me Serbinë, aleatin e saj të ngushtë në Ballkanin Perëndimor. Qeveria jonë është përgjigjur në përputhje me rrethanat duke intensifikuar bashkëpunimin tonë me NATO-n, BE-në, SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe aleatët kryesorë evropianë. Po ashtu kemi dyfishuar fondet për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Dhe ne kemi prezantuar një pako ekonomike për të luftuar inflacionin pasues, si dhe sot kemi filluar me masat për subvencionimin e efiçencës së energjisë.
E di që përshkrimi juaj i punës përdorë shprehjen “menaxhimi i krizës”. Meqenëse kriza është bërë krizë e shumëfishtë, ndoshta nevojitet të përparojmë me guxim nga menaxhimi drejt zgjidhjes. Pra, zgjidhja e krizës së shumëfishtë me të cilën ne së bashku përballemi.
Qeveria dhe populli i Kosovës besojnë në BE dhe ne mendojmë se BE-ja duhet të ketë ambicie të mëdha për Ballkanin Perëndimor dhe për vete. BE-ja duhet të përparojë, ne të gjithë duhet të mbrojmë BE-në dhe BE-ja duhet të zgjerohet.
Ne kemi ndërmarrë gjithashtu hapa për të rritur dialogun me komunitetin serb, dhe komunitetet e tjera joshumicë në vendin tonë, në mënyrë që t’i integrojmë ata si qytetarë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë të vendit tonë. Të drejtat e pakicave tona janë të mbrojtura dhe do të vazhdojnë të jenë. Ne themi se barazia për të gjithë është e nevojshme që të kemi demokraci të shëndetshme. Nuk mund të ketë demokraci, pa të drejta të njeriut, pa barazi dhe pa pluralizëm. Sundimi i ligjit, mundësitë ekonomike dhe drejtësia sociale do t’i bashkojnë të gjithë qytetarët dhe komunitetet në një shoqëri gjithëpërfshirëse, pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare.
Krahas këtyre sukseseve në punët tona të brendshme, Kosova ka treguar gjithashtu se është e përkushtuar për të kontribuar në sigurinë ndërkombëtare. Ne morëm pjesë me entuziazëm në Defender Europe 2021 së bashku me 26 vende të tjera dhe nuk humbëm kohë për të iu bashkuar sanksioneve të ShBA-ve dhe BE-së kundër Federatës Ruse. I kemi strehuar mbi 1.800 refugjatë nga Afganistani, aktualisht po strehojmë 410 prej tyre, ndërsa nëntë gazetarë nga Ukraina, tani janë banorë të kryeqytetit tonë, Prishtinës.
Së fundmi, krahas përparimeve tona në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë, Republika e Kosovës ka treguar progres të jashtëzakonshëm ekonomik në këtë një vit e gjysmë, edhe përballë krizave të shumta globale. Vitin e kaluar e mbyllëm me rritje ekonomike prej 10.7%. Dhe këtë vit, në tremujorin e parë, kemi pasur 4,9 % të rritjes së BPV-së. Në të njëjtën kohë, ne kemi siguruar që prosperiteti i vendit tonë të ndahet gjerësisht në të gjithë popullsinë tonë. Ndër iniciativat e tjera, ne kemi ndarë subvencione për nënat e reja dhe fëmijët, si dhe kemi rritur pensionet me 11%, duke përfshirë pensionet për personat me aftësi të kufizuara me 33%. Dhe për herë të parë, arsimi i lartë publik në vendin tonë është plotësisht pa pagesë. E gjithë kjo tregon se, përkundër asaj që disa qeveri autokratike, fuqi dhe superfuqi në botë po përpiqen me dëshpërim të dëshmojnë, demokracia dhe përparimi ekonomik shkojnë krah për krah. Në bashkëpunim me aleatët tanë në BE dhe më gjerë, qeveria ime vazhdon të punojë çdo ditë për të demonstruar këtë të vërtetë të rëndësishme.
Edhe një herë ju uroj mirëseardhje të ngrohtë dhe qëndrim shumë të këndshëm dhe produktiv në Republikën e Kosovës.
Ju faleminderit shumë.