Përmes një postimi në Facebook, ai ka përshëndetur vendimet e shkollave të Podujevës që nga nesër të fillojnë edhe me shpërndarjen e librave për nxënësit.
Tutje, ai u shpreh se përmes këtij vendimi mësimdhënësit kanë dëshmuar vullnetin e tyre të sinqertë në kryerjen e misionit të tyre.
“I përshëndes vendimet e shkollave të Komunës sonë që nga nesër të fillojnë me procesin mësimor dhe shpërndarjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Përmes këtij vendimi për t’ju kthyer procesit mësimor, mësimdhënësit tanë kanë dëshmuar vullnetin e tyre të sinqertë në kryerjen e misionit të tyre fisnik në edukimin e gjeneratave të reja. Na priftë e mbara”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, të dielën kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i Kamenicës, Kadri Rahimaj, i Shtimes, Qemajl Aliu dhe ai i Podujevës, Shpejtim Bulliqi – që të gjithë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë mbajtur një konferencë për media.
Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi shkroi se kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me mosfillimin e vitit të ri shkollor në vend.
Ai bëri të ditur se kanë bërë thirrje nga prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla, teksa kanë apeluar nga mësimdhënësit që të ndalojnë grevën.
“Nga kjo konferencë ne ju bëmë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe apeluam tek mësimdhënësit që të jenë pjesë e procesit mësimor duke e ndalur grevën. Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur në diskutim publik Ligjin për Paga, ku mësimdhënësit trajtohen me paga të dinjitetshme si dhe është përkujdesur me Pakon e re mbështetëse në ndihmë të qytetarëve karrshi inflacionit”, thuhet ndër tjerash në postim.
Ndërkaq, edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë thirrje ndaj mësidhmënësve që t’i kthehen punës të hënën.
Përmes një komunikate për media, MASHTI theksoi se humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe është e papranueshme për ta dhe gjithë shoqërinë.
“E drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, andaj, konform përgjegjësive, secili duhet t’i përmbushë obligimet ligjore që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore. Kjo është në interesin më të mirë të fëmijëve. Humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MAShTI-n dhe për gjithë shoqërinë”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Tutje, Ministria thotë se 50 eurot shtesë që janë ndarë për pagat e mësimdhënësve është në kufijtë e mundësive aktuale në vend.
Sipas MASHTI-t, në kushte të tilla pezullimi i procesit mësimor paraqet shqetësim serioz dhe një veprim me pasoja afatgjate për nxënësit e të gjitha grupmoshave.
Po ashtu, nga kjo Ministri thuhet se kanë indikacione se disa individë nga hierarkitë politike apo të qeverisjes lokale po ushtrojnë presion te mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave për të mos e filluar punën.
Lidhur me këtë, MASHTI kërkon që mos të ketë ndërhyrje në vendimet e mësimdhënësve, duke thënë se e drejtë për të qenë në grevë ose për të punuar duhet t’i garantohet secilit.
“Kërkojmë nga të gjithë që të mos ndërhyjnë në vendimin e mësuesve. E drejta për të qenë në grevë, ose për të punuar, duhet t’i garantohet secilit. Për më shumë, ky presion është edhe i dënueshëm sipas legjislacionit në fuqi. Po ashtu, do të vlerësonim lartë në këtë moment përfshirjen e mekanizmave kompetent, autoriteteve publike, Avokatit të Popullit, OShC-ve, që në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave të veta të dalin me qendrime të qarta, propozime dhe rekomandime për balancimin e drejtë në mes të drejtave të palëve të përfshira në çështje, gjithnjë duke marrë parasysh rëndësinë e së drejtës në arsim që perfshinë rreth 320 mijë nxënës”, thuhet tutje në komunikatë./teve1.info/