Ceremonia e nisjes së tyre është bërë në prezencë të ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, shefit të Shtabir të Përgjithshëm Bajram Begaj si dhe komandantëve të forcave.
Gjatë fjalës së tij, Peleshi dërgimin e këtij kontingjenti e ka cilësuar si mision të një rëndësie të madhe për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.
“Pas tërheqjes dhe mbylljes së misionit në Afganistan, ne u angazhuam se do të vazhdojmë të rrisim pjesëmarrjen tonë në misione të NATO-s dhe ato ndërkombëtare në përgjithësi dhe ky është rasti. Ne po materializojmë shtimin e prezencës sonë në KFOR, për herë të parë çojmë në këtë mision, misioni ‘KFOR 1‘ një kontingjent special të djemve dhe vajzave më të mirë që ne kemi në FA. Në këto ditë të sfiduara të paqes dhe sigurisë globale kjo e shton dyfish e rrit vëmendjen, por edhe përgjegjshmërinë e secilit prej nesh e secilit prej jush për të shërbyer me profesionalizëm, me disiplinë ushtarake, me dinjitet në respektim të kodit të etikës dhe të vlerave të aleancës tonë”, deklaroi ai.
Tutje, duke folur për situatën e krijuar në Ukrainë, Peleshi theksoi se “nuk mund të preket asnjë inch i kësaj aleance sepse është më e fuqishmja ushtarakisht dhe politikisht në botë”.
“Punën tuaj atje do doja ta shikonit çdo ditë si një kontribut për paqen edhe sigurinë globale, si një kontribut për lirinë e qytetarëve tanë, e qytetarëve të botës, e qytetarëve të rajonit, sepse në 48 orët e fundit normaliteti siç e tha sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg ka ndryshuar; jemi në një normalitet të ri. Pra, në një mënyrë të njëanshme, një fuqi si Rusia hoqi dorë nga parimet që mbanin si shtylla rendin botëror dhe riktheu historinë pas, në kohën e sferave të influencës edhe pushtimit të një shteti më të dobët nga një shtet më i fuqishëm. Ne duhet të jemi të vëmendshëm, duhet të jemi vigjilentë, duhet të jemi me dinjitet përkrah aleatëve tanë dhe ta bëjmë flamurin tonë të valëvitet krenar krahas flamujve tjerë të Aleancës”, tha ministri në drejtim të ushtarakëve që u nisën për në Kosovë.