Kryetari i Shoqatës Sindikale në Komunën e Prishtinës, Amet Gashi, tha nga objekti i Komunës së Prishtinës se administrata është në grevë dhe se po respektohet vendimi i nivelit qendror të Sindikatës dhe BSPK-së.
“Jemi duke e respektuar vendimin për grevë, greva po shkon mirë dhe mbarë, shumica e shërbyesve civil na u kanë përgjigjë, greva po vazhdon, shumë mirë po shkon”, tha Gashi.
Ndërsa kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Administratës së Kosovës(SPAK) Ali Gashi, tha se punonjësit kanë hyrë në grevë si rezultat i pakënaqësisë së trajtimit nga ana e Qeverisë.
“Greva ka ardhë si rezultat pasi i kemi shfrytëzuar të gjithë hapat e paraparë me ligj. Përpos shkresave zyrtare ne kemi bërë edhe protesta, greva, pastaj grevën paralajmëruese, protestën që konsiderohet më e madhja e sindikatave pas luftës, së fundit kemi qenë të detyruar të shfrytëzojmë edhe ndërmjetësuesin që t’i ikim grevës, por krahas këtyre Qeveria nuk ka pasur kohë që t’i dëgjoj kërkesat tona”, tha Gashi.
Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se ka shkuar në Komunë për ta mbështetur sindikatën e punonjësve të administratës, derisa e ftoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të ulet të bisedoj me sindikatat për gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga ko gjendje.
“Ne jemi së bashku, po t’i lejonte ligji në grevë do të ishin edhe policët dhe zjarrëfikësit por BSPK-ja do t’i përfaqësoj edhe ata dhe Qeveria që sot të filloj me dialogun. E lus kryeministrin Albin Kurti që për hir të djemve dhe vajzave që po shërbejnë në Policinë e Kosovës, të filloj me realizimin e kërkesave. 100 euro deri të bëhet ligji, të mos e punoj atë ligjin për zyrtarët publik ngase ka shumë vërejtje. SBASHK është me ju kolegë në Administratën Publike”, tha Jasharaj.
Kërkesat e sindikalistëve në sektorin publik ku përfshihet arsimi, administrata e shërbyes tjerë civil janë: Hartimi dhe zbatimi i ligjit të pagave, plotësim-ndryshimi i ligjit për skemat pensionale ku kërkohet largimi i kriterit prej 15 viteve përvojë e punës në kohën e paraluftës në Kosovë për të fituar të drejtën e pensionistit kontributdhënës dhe sigurimin shëndetësor.
Ndërkohë deri të miratohen dhe ndryshohen ligjet nevojshme, këta po kërkojnë pagesën prej 100 eurove shtesë pagës për të gjithë punonjësit e arsimit dhe shërbyesit civil.