Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit.
Pas homazheve, në një prononcim për media, Haxhiu ka rikujtuar rëndësinë e kësaj date për historinë kombëtare shqiptare, duke përmendur shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e Adem Jasharit dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997.
Ajo ka vlerësuar kontributin e familjes Jashari në luftën për çlirimin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e qëndresës së tyre.
“Për lirinë që ne sot e gëzojmë, Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë. Adem Jashari qysh herët e nisi angazhimin e tij në rezistencën e armatosur për çlirimin e Kosovës; as ai, as familja Jashari, burra e gra bashkë, nuk u dorëzuan, ata rezistuan”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka kujtuar gjithashtu se 28 Nëntori shënon disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare, duke nisur nga ngritja e flamurit nga Skënderbeu në Krujë më 1443, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe dalja publike e UÇK-së më 1997.
Në fund, kryetarja e Kuvendit u ka uruar 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, duke bërë thirrje për ruajtjen e flamurit kombëtar dhe angazhimin për të ardhmen e vendit.







