Agit Kabayel dhe Nelson Hysa kanë dhuruar një moment simbolik në përfundim të peshimit zyrtar, në prag të përballjes për titullin botëror WBC në kategorinë e rëndë të boksit.
Dy boksierët kanë bërë simbolin e shqiponjës me duar, duke përcjellë një mesazh simbolik shqiptar, pak para duelit që do të zhvillohet të shtunën në Düsseldorf të Gjermanisë.
Pas peshimit, boksieri shkodran Nelson Hysa ka folur edhe për faktin se konsiderohet i pafavorizuar përballë kampionit gjerman, duke thënë se ky rol i pëlqen dhe se synon të befasojë me një fitore.
“Prej më shumë se dy muajsh jam i pafavorizuar. Më pëlqen kjo ndjesi, sepse kur të fitoj, do të jem surpriza e madhe. Prandaj më pëlqen ky rol. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu”, u shpreh boksieri shkodran.
Përballja do të mbahet më 28 nëntor në “Merkur Spiel-Arena” të Düsseldorf-it, ku pritet të jenë të pranishëm mbi 50 mijë spektatorë. Në lojë është titulli botëror WBC në peshën e rëndë, ndërsa për Kabayel kjo do të jetë mbrojtja e parë e titullit.
Boksieri gjerman, 34 vjeç, ka një rekord prej 27 fitoresh në po aq ndeshje profesioniste, 19 prej tyre të arritura me nokaut. Në anën tjetër, Hysa, 42 vjeç, ka fituar të gjitha 25 përballjet e zhvilluara në karrierën e tij, 23 prej tyre me nokaut.
Peshimi zyrtar ka evidentuar edhe dallimin në peshë mes dy kundërshtarëve. Kabayel regjistroi 106.9 kilogramë, ndërsa Hysa 113.1 kilogramë.
Për boksierin shqiptar, kjo përballje përfaqëson mundësinë më të madhe të karrierës, pasi synon të fitojë titullin e kampionit të botës në njërën prej kategorive më prestigjioze të boksit.
Dueli kryesor pritet të nisë rreth orës 22:30 dhe do të transmetohet në platformën “DAZN”.




