Avokati Burim Korça ka vlerësuar se Ligji për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhej të trajtohej me më shumë kujdes dhe të analizohej më gjatë, në mënyrë që të mos rrezikohej dëmtimi i tyre në proceset gjyqësore në Hagë.
Ai ka thënë se që në ditën kur ishte votuar ligji, kryeministri i atëhershëm në detyrë, Albin Kurti, kishte paralajmëruar se çështja po procedohej me nguti.
“Ditën kur është votuar ligji, kryeministri në atë kohë në detyrë, Albin Kurti, ju tha që jemi duke u ngutur dhe kjo çështje po bëhet me nguti. Do të duhej ta analizonim pak më mirë. Unë kam menduar se është bërë shumë shpejt dhe ka mundur t’i dëmtojë ish-krerët e UÇK-së. Ligji duhej të analizohej më mirë”, ka deklaruar Korça në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai është ndalur edhe te vërejtjet e Bashkimit Evropian, duke theksuar se këtë herë ato lidhen me çështje që kanë të bëjnë me Kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshjen e arritur me ndërkombëtarët për Gjykatën Speciale.
“Është me rëndësi që të analizohet mirë, që të mos preket Kushtetuta dhe të mos vijmë në një situatë në të cilën mund t’i dëmtojmë ish-krerët e UÇK-së. Qëllimi është që ata të dalin të pafajshëm dhe ky ligj t’u ndihmojë atyre”, ka thënë ai.







