Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka bërë të ditur se gjatë periudhës 2021–2026 janë ndarë rreth 350 milionë euro përmes granteve dhe subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
Përmes një postimi në Facebook, Muja ka bërë të ditur se gjatë këtij mandati janë regjistruar afro 150 mijë përfitime nga fermerët.
Sipas shifrave të publikuara nga ministri, pagesat direkte për bujqësinë janë rritur për 103 për qind, duke arritur në 74.7 milionë euro në vitin 2025, krahasuar me 36.7 milionë euro në vitin 2020.
Rritje është shënuar edhe në vlerën e prodhimit bujqësor, e cila, sipas Mujës, ka arritur në 1.19 miliardë euro, apo 52.6 për qind më shumë se më parë. Ndërkaq, eksportet bujqësore kanë shënuar rritje prej 152 për qind, duke arritur në 186.6 milionë euro.
Ministri ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë subvencionuar 130 mijë e 310 hektarë tokë bujqësore, që përbën një rritje prej 97 për qind krahasuar me vitin 2021. Po ashtu, janë financuar 103 stalla moderne për zhvillimin e blegtorisë.
Në mesin e të dhënave të prezantuara, Muja ka përmendur edhe 51 milionë euro mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, si dhe 11 milionë euro të ndara për 5 mijë e 655 gra fermere përmes granteve dhe subvencioneve.
Ai ka folur edhe për kthimin e pronave të uzurpuara në pronësi të shtetit, duke pretenduar se përmes këtij procesi është parandaluar një dëm prej mbi 500 milionë eurosh.
“Investimi në bujqësi është investim në ekonominë e vendit, në sigurinë ushqimore dhe në mirëqenien e familjeve tona”, ka shkruar Muja.
Në fund, ministri ka theksuar se synimi mbetet rritja e mbështetjes për fermerët, shtimi i prodhimit vendor dhe zhvillimi i një sektori bujqësor më konkurrues.







