Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, së bashku me delegacionin e Bashkimit Evropian, ka mbërritur në Tiranë, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama në Pallatin e Brigadave. Vizita zhvillohet në kuadër të samitit të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili mbahet me temën “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”.
Fokusi kryesor i punimeve të këtij takimi të nivelit të lartë është zbatimi i Planit të Rritjes (Growth Plan), ecuria e reformave, prioritetet strategjike dhe integrimi ekonomik i vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Plani i Rritjes parashikon mbështetje të rëndësishme financiare për Ballkanin Perëndimor, e cila është e kushtëzuar nga përmbushja e reformave dhe angazhimeve të përcaktuara nga Brukseli.
Sipas agjendës, mbërritja e liderëve është parashikuar në orën 10:00, ndërsa në orën 10:30 do të mbahen fjalët hyrëse nga Rama dhe Kos. Në këtë fazë janë parashikuar edhe prononcimet për mediat të përfaqësuesve pjesëmarrës.
Në orën 12:15 do të realizohet fotografia e përbashkët e liderëve, ndërsa në orën 12:30 Rama dhe Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.










