Pesë raste të dhunës në familje janë evidentuar në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa tri prej tyre janë raportuar në Prishtinë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rastet e tjera janë regjistruar në Lipjan dhe Fushë Kosovë.
Në kryeqytet, një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa një tjetër është raportuar nga babai i tij për tentim sulmi pas një mosmarrëveshjeje. Në të dyja rastet, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Në rastin e tretë në Prishtinë, një person dyshohet se ka kanosur bashkëshorten përmes telefonit. I dyshuari ndodhet në arrati.
Ndërkohë, në Lipjan, një grua dyshohet se ia ka dëmtuar telefonin bashkëshortit pas një mosmarrëveshjeje. Ajo është dërguar në mbajtje.
Rasti i pestë është regjistruar në Fushë Kosovë, ku një konflikt verbal mes dy vëllezërve ka eskaluar në sulm fizik. I dyshuari është arrestuar nga policia.
Të gjitha rastet janë trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet përkatëse po vazhdojnë.




