Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të tentimit për shmangie të detyrimeve doganore në sektorin e Kargos në Aeroportin e Prishtinës, ku në një dërgesë postare janë gjetur 4 mijë e 161 copë stoli argjendi, të cilat ishin deklaruar si pjesë të imta metali për testim.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, rasti është zbuluar gjatë procedurave të rregullta të kontrollit dhe selektimit të dërgesave, pasi zyrtarët doganorë kanë dyshuar për mospërputhje ndërmjet përshkrimit në dokumentacion dhe përmbajtjes së pakos.
Për këtë arsye, dërgesa është përzgjedhur për kontroll përmes pajisjeve të skanimit, si dhe për ekzaminim fizik në zonën doganore të Aeroportit – Kargo.
Pas kontrollit, është konstatuar se në vend të pjesëve metalike për testim, në pako gjendeshin gjithsej 4 mijë e 161 njësi stoli argjendi.
Sasia e sekuestruar përfshinte 1 mijë e 331 unaza, 358 qafore, 844 byzylykë, 1 mijë e 1 varëse, 503 palë vathë dhe 124 komplete.
Dogana ka bërë të ditur se vlera doganore e mallit, pa përfshirë taksat, është përcaktuar në 25 mijë e 861.39 euro, ndërsa detyrimet doganore që dyshohet se janë tentuar të shmangen arrijnë në 7 mijë e 706.69 euro.
“Për shkak të mosdeklarimit të saktë të llojit, sasisë, peshës dhe vlerës së mallit, rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Në fund, Dogana ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet për parandalimin e kontrabandës dhe shmangies së detyrimeve doganore, duke përdorur edhe pajisje moderne të kontrollit.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, shmangies së detyrimeve doganore dhe të gjitha formave të tjera të shkeljeve doganore”, thuhet më tej në njoftim.









